E Diel, 1 Nëntor 2026

“Panairi gjerman 2009” sjell në Shqipëri 40 kompani nga Gjermania



Biznesi gjerman vjen në Shqipëri për të prezantuar nga afër aktivitetin, produktet dhe shërbimet si dhe mundësitë për të bashkëpunuar me biznesin shqiptar. Një panair i posaçëm për biznesin gjerman është çelur në Tiranë për herë të parë. “Panairi gjerman” ka sjellë në Shqipëri 40 kompani të ndryshme, disa syresh ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, ndërsa të tjera pas këtij prezantimi mund të bëhen pjesë e investimeve të huaja në Shqipëri. Pjesëmarrëse në këtë event janë jo vetëm ato kompani e firma gjermane, që operojnë në Shqipëri, por dhe të tjera që synojnë të hapin aktivitet apo kompani shqiptare që importojnë ose eksportojnë në Gjermani. “Panairi gjerman 2009” është organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe me mbështetjen e ambasadës gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës së Shqipërisë. Në programin e panairit bëjnë pjesë edhe dy tryeza të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e sipërmarrësve nga të dyja vendet, si dhe përfaqësues të niveleve të ndryshme të institucioneve shtetërore që do të shërbejë për intensifikimin e marrëdhënieve mes vetë biznesit. Me një pavijon të veçantë në "Panairin gjerman-2009" prezantohet dhe radio Deutsche Welle, e cila transmeton në gjuhën shqipe nga 1 qershori i vitit 1992. Në tri ditë vizitorët do të kenë mundësi të shikojnë prezantimet e kompanive dhe firmave nga fusha e ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, ushqimore, industrisë së makinave etj.

Në “Panairin gjerman 2009” prezantojnë produktet në tendat e mëdha të ekspozimit të firmave Benz, Audi, Porsche, Volkswagen, prodhimet e të cilave i sheh kudo në rrugët e Shqipërisë. Më tej, kalon me radhë dhe stenda të firmave të njohura si Degert, Metabo, Miele, Bitburger, Paulaner München, Procredit etj. Në pjesën ballore të panairit bie në sy pavijoni i autoservisit Bushi. Kjo firmë është e pranishme në tregun shqiptar që prej vitit 1992. Ajo i është përkushtuar futjes në treg të mallrave ose pjesëve të këmbimit për automjetet që janë prodhim gjerman. Për sa i takon sistemit soft ose të injeksionit që përdoret në motorët e automjeteve, Bushi është në Shqipëri përfaqësues ekskluziv i Porsche Car Service. Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanisë Knauf kanë arritur të kontaktojnë në panair klientë dhe partnerë të interesuar. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Koblenc-it në Gjermani nuk është vetëm pjesëmarrëse në panair. Ajo prej kohësh asiston edhe në procesin e hartimit dhe të miratimit të një projektligji të veçantë të zejtarisë, sipas standardeve gjermane. Ndërsa, Kärsher-i gjerman është një nga furnizuesit kryesore të firmës Globi. Dhe pjesën më të madhe të produkteve të prezantuara në panair për vizitorët ata i kanë nga tregu gjerman.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›