KLD, ministrit Alibeaj: Procedim disiplinor për gjyqtarin Xheladin Karkini
Inspektorati i KLD-së i gjeti disa shkelje gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit. Nuk dorëzoi brenda afateve procedurale 65 vendimet e arsyetuara në sekretarinë gjyqësore
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kërkon ministrit të Drejtësisë procedim disiplinor për gjyqtarin e Elbasanit Xheladin Karkini. Sipas burimeve nga KLD-ja, ky gjyqtar është gjetur me shkelje gjatë inspektimit të bërë në këtë gjykatë dhe për këtë arsye i kërkohet ministrit Alibeaj marrja e masave disiplinore. Mësohet se gjyqtari Karkini nuk ka depozituar në sekretarinë gjyqësore 65 dosje për të cilat përfundimi i shqyrtimit (e për pasojë dhe shpallja e vendimit) është bërë që në nëntor të vitit 2007 e në vijim. Nga këto 14 dosje janë përfunduar në vitin 2007, ndërsa pjesa tjetër në vitin 2008. Pra, sipas inspektimit, ky gjyqtar nuk ka dorëzuar brenda afateve procedurale 65 vendimet e arsyetuara në sekretarinë gjyqësore, konkretisht për dy vitet 2007 e 2008. Sipas relacionit të dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, ky gjyqtar ka shkelur ligjin për këto çështje, ndaj dhe duhet propozuar për masë disiplinore. Pra, sipas burimeve nga KLD-ja, të gjitha vendimet e shpallura nga gjykata, përkatësisht 65 vendimet, nuk janë arsyetuar e për rrjedhojë as nuk janë depozituar në sekretarinë gjyqësore (deri në momentin e verifikimit). Për çështjet civile të inspektuara, nga gjyqtari Xheladin Karkini nuk është respektuar afati maksimal 10-ditor i parashikuar në nenin 308, paragrafi i dytë i K. Pr. Civile, për depozitimin e vendimit të arsyetuar në sekretarinë gjyqësore. Në këtë dispozitë parashikohet: “Në çështje të ndërlikuara, gjykata mund të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit, duke e dorëzuar atë të arsyetuar në sekretari jo më vonë se dhjetë ditë ose të shtyjë shpalljen e arsyetuar të vendimit, deri në pesë ditë. Arsyetimi i vendimit bëhet nga kryetari i seancës, përveç kur ai ia beson këtë njërit prej anëtarëve të trupit gjykues”. Vonesat në dorëzimin e vendimit janë në diferenca kohore prej 70 deri në rreth 430 ditë kalendarike (afati i vonesës është llogaritur duke iu referuar afatit maksimal të parashikuar nga ligji, 10 ditë nga shpallja e vendimit). Ndërsa për çështjen të përshkruar në pikën 68, kemi një vonesë në dorëzimin e vendimit prej 206 ditësh. Në Kodin e Procedurës Penale, në nenin 386, pika 1, parashikohet: “Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes. Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit”. Pra, gjyqtari Karkini në këtë rast nuk ka respektuar sa parashikohet nga dispozita e lartpërmendur. Gjithashtu, sipas inspektimit të KLD-së, megjithëse vendimet janë shpallur që nga nëntori 2007 e në vijim, palët akoma nuk kanë arritur të realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese për shqyrtimin e ankimit të paraqitur prej tyre ndaj vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit Durrës. Kjo veprimtari e gjyqtarit Xheladin Karkini është realizuar në kundërshtim me ligjin dhe përbën shkelje disiplinore.
Shkeljet
Me veprimet e tij, gjyqtari Xheladin Karkini, ka shkelur parashikimit e bëra në nenin 308 të K. Pr. Civile. Kjo dispozitë urdhëron gjyqtarin e çështjes që të depozitojë vendimin e arsyetuar në sekretarinë gjyqësore brenda afatit dhjetë ditor nga shpallja e vendimit përfundimtar për konfliktin civil të zgjidhur prej tij. Mosdorëzimi i vendimeve gjyqësore brenda këtij afati është bërë në mënyrë të pajustifikuar. Po në të njëjtën mënyrë ai gjyqtar ka shkelur disponimet urdhëruese të nenit 386 të K. Pr. Penale, duke mos respektuar afatin e parashikuar në të për depozitimin e vendimit të arsyetuar në sekretarinë gjyqësore. Gjithashtu, shkelja e këtyre dy dispozitave urdhëruese procedurale është bërë në mënyrë të përsëritur. Janë verifikuar 79 raste të tilla ku vetëm njëri prej tyre ka të bëjë më një çështje penale ndërsa të tjerat janë konflikte civile. Nga shkelja e pajustifikuar dhe e përsëritur e dispozitave urdhëruese të përmendura më lart kanë ardhur pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim. Në nenin 43 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është njohur e drejta e ankimimit të një vendimi gjyqësor në një gjykatë të shkallës më të lartë. Kjo e drejtë e shtetasve nuk është realizuar për palët pjesëmarrëse në proceset për të cilat gjyqtari Xheladin Karkini ka shpallur vendimet. Në të gjitha këto raste, palët kanë depozituar ankim ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, por akoma dosjet nuk janë dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit Durrës si pasojë e mosarsyetimit të vendimit përfundimtar. Njëkohësisht, sipas burimeve zyrtare, pasoja kanë ardhur edhe për palët pjesëmarrëse në çështjet e tjera gjyqësore për të cilat nuk është depozituar vendimi përfundimtar (të cilët si rregull duhet të kishin marrë formë të prerë), pasi nuk kanë mundësi për vënien në ekzekutim të disponimeve të gjykatës.