E Martë, 3 Nëntor 2026

SIRI – Ministri i Jashtëm turk viziton Damaskun mes përpjekjeve për forcim të qeverisë se re siriane

DAMASK, 7 gusht /ATSH/ – Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, u takua sot në Damask me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al-Sharaa, në një kohë kur qeveria e re e Sirisë përpiqet të bashkohet dhe të rivendosë kontrollin mbi vendin, sipas Ap-së.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, raportoi se të dy palët diskutuan zhvillimet rajonale dhe globale dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin e përbashkët në fusha të ndryshme.

“U theksuan mundësitë për institucionalizimin e bashkëpunimit dypalësh midis Turqisë dhe Sirisë dhe Turqia përsëriti gatishmërinë  për të ofruar mbështetje për Sirinë në të gjitha  fushat”, thuhet në njoftimin e agjencisë siriane të lajmeve. .

Ankaraja ka qenë një mbështetëse e fortë e qeverisë së përkohshme në Damask që kur ish-presidenti sirian Bashar al-Assad u rrëzua nga një ofensivë e befasishme e rebelëve në dhjetor.

Muajin e kaluar, Siria kërkoi ndihmën e Turqisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse pas përleshjeve sektare që rritën tensionet në vend dhe sollën ndërhyrjen e Izraelit.

Përleshjet shpërthyen muajin e kaluar mes pjesëtarëve të fiseve beduine dhe fraksioneve të armatosura të minoritetit fetar druzi në provincën jugore siriane Sweida. Forcat qeveritare që ndërhynë, me pretekstin për të ndalur përplasjet, përfunduan duke mbështetur beduinët.

Turqia ka kritikuar hapur ndërhyrjen izraelite në Siri dhe po ashtu synon të kufizojë ndikimin e grupeve kurde që kontrollojnë verilindjen e Sirisë.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, kanë qenë aleate kryesore të SHBA në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik, por Ankaraja i konsideron SDF-në si organizatë terroriste për shkak të lidhjeve të saj me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ka zhvilluar një kryengritje disadekadëshe në Turqi.

Zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, në kushte anonimiteti sipas rregullave, akuzuan sot SDF-në për moszbatim të angazhimeve, duke shtuar se Ankaraja mbetet “e përkushtuar për të mbështetur luftën e administratës siriane kundër organizatave terroriste dhe për të ofruar trajnim, këshillim dhe ndihmë teknike sipas kërkesës për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të sigurisë”.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›