SKANDALI/ Berisha përdhos simbolikën e Bashkimit të Kuvendit të Lezhës
Kryeministri Berisha ka përjashtuar presidentin e Republikës dhe liderin e opozitës nga ceremonia përkujtimore për Kuvendin e Lezhës, e cila ka bashkuar 5 shekuj më parë gjithë krerët e fiseve shqiptare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte i ftuar në atë ceremoni nga kryetari i Bashkisë së Lezhës dhe i konfirmuar nga Protokolli i Shtetit, që do të fliste aty pas kryetarit të Bashkisë. Zëdhënësja e presidentit i tha gazetës Tema se sot në mëngjes Protokolli i Shtetit i ka konfirmuar presidencës se Presidenti nuk mund të flasë në ceremoni pasi do të flasë vetëm kryeministri. Kjo gjë ka detyruar presidentin Topi ta japë mesazhin e tij nga salla Skënderbej nga Presidenca.
“Presidenti Bamir Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës.
Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë.
Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni.
Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni.
Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë, sqaroi Presidenca skandalin e ndodhur me presidentin Topi.
Ndërkohë Berisha u prit në Lezhë me parulla agresive të mbajtura nga mbështetës të Aleancës Kuq e Zi. Parullat Gjergj, me ty fituam Evropën, me Berishën e humbëm apo Gjergj këta kanë 100 flamuj, kishin mbushur autostradën dhe qytetin e Lezhës.
