Reuters: Gjyqësori, një nga arsyet pse Shqipërisë nuk i jepet statusi
Ndërsa shqiptarët gdhihen e ngrysën çdo ditë duke dëgjuar çudira nga më të ndryshmet nga gjykatat shqiptare, agjencia Reuters në një raport të sajin thotë se është pikërisht gjyqësori një nga arsyet pse Shqipëria ka dalë nga rruga e integrimit të BE. Komunizmi ra në Shqipëri në vitin 1991 dhe vendi me 3 milion banorë u bashkua me NATO-n në vitin 2009. Por rruga drejt anëtarësimit në BE është dëmtuar nga shqetësimet për demokracinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shqipëria ka aplikuar për statusin e kandidatit në BE në prill të vitit 2009, por është refuzuar dy herë, së fundmi tetorin e shkuar për shkak të problemeve në funksionimin e institucioneve demokratike përfshi parlamentin dhe gjyqësorin, shkruan agjencia e njohur.
Jo më kot Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i kërkoi Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, që të paraqesin prova të besueshme në luftën kundër korrupsionit. Kurse kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli janë të bindur se po të mos ishte opozita, vendi do merrte statusin e kandidatit për punë javësh.