E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospjesëmarrja e Topit në Lezhë, presidenca: Iu mohua fjala

Presidenca ka sqaruar sot mospjesëmarrjen e Presidentit Topi në ceremonitë zyrtare të përkujtimit të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në një deklaratë për publikuar nga drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit thuhet se Presidenti i Republikës, Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës por i është mohuar e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni.
 

“Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremon” thekson presidenca.
 

"Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë" përfundon deklarata e presidencës.

Ndërkohë Kreu i shtetit Bamir Topi nëpërmjet një deklarate ka përshëndetur sot shqiptarët me rastin e 568-vjetori të Kuvendit të Lezhës.
“Në historinë e një kombi, ashtu si në jetën e një njeriu, ka data e vende, të cilat me simbolikën dhe rëndësinë e tyre mbeten të pazëvendësueshme, kujtohen me respektin më të madh dhe frymëzojnë në rrugën drejt të ardhmes. Shteti shqiptar ka heroin e tij kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun; shteti shqiptar ka edhe simbolin e tij – flamurin kuq e zi; shteti shqiptar ka edhe simbolikën frymëzuese të tij – Kuvendin e madh të Lezhës, njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare” ka theksuar Topi.

Sipas tij me Kuvendin e Fisnikëve Lezha u bë zemra e shqiptarizmit, vendimet e tij u bënë gurë themeli i shtetit shqiptar të Skënderbeut; jehona e tij frymëzoi disa dhjetëra breza shqiptarësh.  “2 marsi mbetet dita – simbol e bashkimit, dita kur burrat e mençur e të fortë, lanë mënjanë dasitë e vogla dhe vendosën të bëjnë bashkimin politik të shqiptarëve. Ata hodhën themelet e shtetit të ri evropian të shqiptarëve, dhe me këtë akt, iu kundërvunë njërës prej perandorive pushtuese më të mëdha që ka njohur historia evropiane. Me një ndërgjegje të lartë atdhetare, me vizionin e qartë për identitetin dhe kombin shqiptar, me aftësinë politike për t’u bashkuar në një flamur dhe atdhe, prijësat shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ia dolën të themelojnë Besëlidhjen Shqiptare dhe bashkë me të, shtetin e ri shqiptar” shtoi më tej Topi.

Kreu i shtetit thekson më tej se festa e sotme nis vargun e gjatë të aktiviteteve për nder të 100-vjetorit të shtetit modern shqiptar dhe shqiptarët kanë arsye t`i gëzohen bilancit historik 100-vjeçar, sepse sot kemi një Shqipëri evropiane, kemi Kosovën si një shtet të dytë shqiptar dhe evropian, siç kemi një komb shqiptar vital, të lirë dhe evropian.
 

“Duke nderuar sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësave shqiptarë, Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që sot në Lezhën e bekuar nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjës së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse, - ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri; - si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij” ka shtuar më tej Topi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›