E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKANDALI/ Dosja e zezë e listave zgjedhore

Listat zgjedhore janë gangrena e vjetër e zgjedhjeve të reja në horizont. Dublikime emrash, të vdekur që do të votojnë sërish dhe lëvizje të votuesve nga një listë në tjetrën për të votuar më shumë se njëherë. Hava Pepa, e bija e Hajdarit, e datëlindjes 5 prill 1855, me numër kodi 332-02580, do të votojë për bashkinë e Shkodrës, siç bëri në zgjedhjet e 2009-s, edhe pse është 157 vjeç. Njësia bashkiake numër dhjetë, një kampion që survejoi MAPO, dëshmon pamjen e zymtë që parathotë si do të shkohet në këto zgjedhje të helmuara

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Qofshim siç na dinë dhe mos qofshim siç jemi! Ky urim i vjetër dhe dëshpërues, i shkon për mrekulli situatës së nxehtë parazgjedhore në vend. Shqipërisë i kërkohen garanci për zgjedhjet dhe standardin europian që nuk i ka pasur kurrë, Tirana zyrtare jep garanci se do të respektojë standardet. Por lumi që rrjedh mes të thënës dhe të bërës edhe në këtë proces, është i turbullt dhe lë fare pak shpresë që të kullohet. Dublikime në listat e votuesve, të vdekur në lista dhe lëvizje të çuditshme votuesish nga një listë në tjetrën, në të quajturin arnim elektoral, e paragjykojnë procesin dhe e bëjnë të nesërmen e tij të pasigurt. Këto janë tri akte të para të një drame të vjetër që po rivihet në skenë me të njëjtët personazhe, por me shumë më tepër kosto për të nesërmen se kurrë ndonjëherë.

Revista MAPO ka siguruar listën e plotë të dublikimeve të votuesve në të gjithë Shqipërinë nga listat paraprake. Gjithashtu, për të bërë më të qartë situatën, ka zgjedhur një kampion, njësinë bashkiake numër 10, në të cilën, si në të gjithë Shqipërinë, përfshihen tri aktet e dramës. Deputetja socialiste Ledi Shamku, përgjegjëse nga opozita për zgjedhjet në këtë njësi, është pothuaj arrogante në përgjigjen e saj: I kemi identifikuar të gjitha parregullsitë në lista. Nuk mund të flas në detaje, por ligji njeh përgjegjësinë penale për atë që gabon jo nga vetëdija, por kërkon të ndërhyjë me mjete të paligjshme në procesin elektoral. Të premten, në mesditë, kryetari i PS-së Edi Rama, shkon dhe shumë më larg. Me sigurinë që i jep informacioni që ka mbledhur opozita për parregullsitë në këtë proces paraelektoral, Rama thotë se ka vënë në dijeni për to trupin diplomatik në Tiranë dhe se situata është shumë shqetësuese: …jemi gati të bëjmë publike hetimin mbi listat…, paralajmëron kryetari i Partisë Socialiste.

Akti i parë, arna elektorale

Kryeplaku i një zone në këtë njësi bashkiake, Luigj B., banues në rrugën e Kavajës, ka marrë me qira në banesën e tij katër familje. Në dukje, përveç faktit se pesë kurora në një apartament logjikisht i bie të jetojnë si balerina në majë të gishtave, gjithçka ngjan normale. Por, duke ditur se ligji, gjithashtu, kërkon që për çdo frymë të ketë të paktën katër metra katror sipërfaqe banimi dhe se për çdo kontratë qiraje paguhet një taksë prej 10 për qind, situata ndërlikohet. Ajo bëhet madje e dyshimtë dhe direkt antiligjore kur edhe këtë të premte, balerinat në banesën e kryeplakut u kërkuan të shtohen dhe me tre frymë të tjera. Në këtë rast, ligji thotë se lëvizjet në lista duhet të përfundojnë deri 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve; lëvizjet e tjera mbas këtij afati, nuk mund të pasqyrohen në listat e votuesve. Ka filluar një mësymje mbi administratën. Në qytete të ndryshme të vendit u kërkohen nëpunësve të administratës të dhëna të çuditshme mbi kartën e identitetit, vendbanimet e të tjerë, që krijojnë shumë shqetësime në fazën ku ndodhemi. …ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogëtarët e shtetit për nevojat e fushatës së pushtetit, tha Rama, po të premten. Rasti i kryeplakut në Tiranë dhe shumë kolegëve të tij në të gjithë Shqipërinë, është marrë shënim, bashkë me provat përkatëse dhe Shamku, ndonëse nuk e thotë, lë të kuptohet se ai dhe shumë të tjerë si ai, do të jenë klientë të akuzës shumë shpejt.

Akti i dytë, listat e dyshuara

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi se fakti që Shqipëria ka një Regjistër Kombëtar të Gjendjes Civile, ku nuk ka më emra të dubluar, është një arritje e madhe. Ky fenomen nuk ka asnjë mundësi që të përsëritet në të ardhmen, për shkak të teknologjisë se përdorur, tha me bindje Teliti në 11 shkurt. Dokumenti që revista MAPO ka në dispozicion për shpërndarjen e dublikantëve të identifikuar nga listat paraprake, si duket bërë me të njëjtën teknologji, por me vullnet të ndryshëm nga ai i eprorëve të zotit Teliti, japin një tablo krejt tjetër: gjithsej në lista ndodhet 3 192 724, votues dhe nga këta, 49 083 të tillë, janë dublante. Që do të thotë, se 24 953 të tillë duhet të largohen nga listat. Premtohen lista të pastra, janë lista të pista.

Akti i tretë, falsifikimi

Edhe në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, kartat e identitetit u konsideruan një problem nga opozita, si një mjet dhe mundësi që u jepte votuesve të caktuar të votonin më shumë se njëherë. Ndeshja mes pozitës dhe opozitës për këtë problem u bë sipas traditës: pozita mohoi, opozita denoncoi dhe e vërteta ka mbetur ende jetime.

Arkiva e kronikës së zezë, megjithatë jep një detaj të frikshëm. Të paktën ajo që është publikuar. Në 27 tetor 2010, Gjykata e Tiranës liroi nga arresti me burg gjashtë nga dhjetë të arrestuarit e operacionit policor Karteli, të akuzuar për falsifikim të dokumenteve. Për katër të tjerët gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Prokuroria në proces ka pohuar se gjate hetimeve të pandehurit kishin përdorur gjuhë të koduar në telefonatat mes tyre dhe se ishin të dyshuar si pjesë e një grupi që falsifikonin karta identiteti, pasaporta dhe patenta. Sot, të gjithë të arrestuarit janë ende në liri, kurse baza materiale e dyshuar për veprimtari falsifikuese, ndoshta ka dalë jashtë nga Tirana. Ndoshta është në Kashar, në periferi të kryeqytetit.

Intermexo, të vdekurit

Edhe këtë herë, si përherë, të vdekurit nuk mungojnë në listat e votuesve. Në vitin 2009, MAPO siguroi gjeneralitetet e personave që nuk kishte logjikë t´i mbante gjallë në faqen e dheut, por qeveria i mbante në listat e votimit. Atëherë, MAPO denoncoi se një grua, Shqype Hasibra, e bija e Avdiut, ishte votuese për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ajo ka lindur në datën 18 qershor 1851 dhe në ditën që ftohej të zgjidhte mes Berishës dhe Ramës ishte plot 157 vjeç. Atëherë, në listat e Ministrisë së Brendshme, ndodhej edhe Sulejman Subashi, Zele Hysa, Zaim Saraçi, Hava Pepa, Therjani Golla e të tjerë, përkatësisht fëmijët e Qazimit, Veliut, Kapllanit, Hajdarit dhe Anastasit, që sipas listës, kishin arritur këtë moshë rekord deri në 156 vjeç. Shqype Hasibra vazhdon të jetë në lista, por kjo duket se është një Shqype tjetër, është e bija e Avdiut dhe e ditëlindjes 1951. edhe Sulejmani, edhe Zelja, për shembull, janë në listë, por jo mbi një qind e kusur vjeç. Përveç Zeles, që është njëlloj si 100 e kusur vjeçarja e vitit 2009 dhe që ekziston sërish në listë me të njëjtin emër atësie, Veli. Dhe ky është një tjetër shembull që intrigon. Sepse Hava Pepa, e bija e Hajdarit, e datëlindjes 5 prill 1855, sot, 157 vjeç, me numër kodi 332-02580-888, do të votojë në bashkinë e Shkodrës, në Lagjen Rus, Kopshti Tom Alimhilli. Emri i saj ndodhet në listat paraprake të KQZ-së së Ristanit të PD-së.

Një sondazh në listat e votimit të Njësisë bashkiake numër 10 në Tiranë, tregon të njëjtën situatë të zymtë. Në listat e saj paraprake, ndodhen plot 75 votues, të cilët janë mbi 95 vjeç. Ndokush edhe mund të jetë gjallë, shumëkush nga ta, me siguri, i ka mbaruar prej kohësh hesapet me votat e pritshme, të djeshme dhe të sotme,

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›