E Diel, 1 Nëntor 2026

SKANDALI/ Policia e Pukës: Kur tju qëllojnë, na merrni në telefon

Share

Bardhok Markaj, personi që humbi dy vëllezërit disa ditë më parë në Pukë dhe që mund të ishte vrarë edhe vetë, ka rrëfyer për A1Report neglizhencën dhe indiferencën skandaloze të Policisë së Pukës. Sipas tij, kur kishte bërë denoncimin në polici, i kishin thënë që të filmonte kërcënuesit me armë në krah dhe të merrte në telefon policinë, kur këta të fundit të qëllonin.

Kur jam ankuar te shefi i Rendit në Pukë, më tha: Bëj një filmim që të jenë me armë në krah dhe na i sill ta kem si provë. Edhe pse kam kërkuar sërish mbrojtje në polici, më janë përgjigjur duke thënë: kur të qëllojnë, na merrni në telefon dhe do të reagojmë menjëherë, por unë u përgjigja se kur të qëllojnë do na kenë vrarë e sdo kem mundësinë tju telefonoj, tregon Bardhok Markaj.

Dy vëllezërit e mi së bashku me familjet e tyre ishin në fshat (në Qelëz të Pukës) për një festë fetare që festojmë çdo 28 qershor (Festa e Shën Kollit). Mëngjesin e ditës tjetër u nisën për në Tiranë, kur disa persona u kanë dalë dhe u kanë zënë pritë, duke vrarë dy vëllezërit e mi, duke plagosur dy nuset e tyre dhe nipin, vijon më tej rrëfimin ai.

Sipas tij, fillimisht zënka mes dy fiseve ka nisur për një rrugë, në të cilën ne kalonim dhe që përshkonte tokën e tyre, por mendoj se ka të tjera arsye pas kësaj, sepse vëllezërit e mi kanë qenë administratorë firmash.

Bardhok Markaj pret që organet e rendit të reagojnë së paku për të kapur autorët.

Kërkoj nga policia që të arrestojë autorët, që janë ende të lirë. Për këtë kërkoj dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme. Ata lëvizin ende lirshëm, ndërsa më i kufizuar në lëvizjet e mia jam unë që kam humbur dy vëllezërit dhe njerëzit e mi në Pukë, se ende jetojmë me frikën se ata mund të qëllojnë sërish.

Ngjarja e rëndë është shënuar në datën 29 qershor në Pukë ku si pasojë e një konflikti për pronën u vranë vëllezërit Hil dhe Paulin Markaj. Dy vëllezërit u ekzekutuan me armë zjarri, ndërsa dy persona të tjerë, të së njëjtës familje, u plagosën rëndë në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz.

Avokati i Popullit ndërkohë ka dërguar për ndjekje penale oficerët dhe shefin e komisariatit policor të Pukës. Sipas Avokatit të Popullit, Igli Totozani, kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar dhe nga ana e policisë nuk janë marrë masa.

Avokati i Popullit thotë se detajet e hetimeve nxjerrin fakte tronditëse mbi rolin e policisë në ngjarjen e Pukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›