E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me pronat e ushtrisë, pronarët kundër: Nuk ka transparencë, ne jemi përjashtuar

Share

Sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myshit Vorpsi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mënyrën se si po privatizohen pronat publike të ushtrisë. Gjate një interviste dhënë Top Channel, Vorpsi akuzon qeverinë për mungesë transparence në këtë proces.

Çdo privatizim që bëhet duhet të ketë një transparencë, që ta marrë vesh gjithsecili, si ata që kanë interesa konkrete, si ata që nuk kanë interesa konkrete, që ai objekt ka dalë në shitje. Përse ato prona nuk duhet të bëjnë pjesë në fondin për kompensimin fizik të pronave dhe pronarëve? Pse në këtë fond për kompensimin fizik duhet të bëjnë pjesë vetëm pyje që janë nëpër majat e maleve dhe mos bëjnë pjesë këto objekte që dalin jashtë juridiksionit të ushtrisë? Pse duhet të jenë pronarët shqiptarë kaq të nëpërkëmbur? tha Vorpsi.

Vorpsi i bashkohet mendimit të opozitës se fare mirë këto prona mund të kompensonin ish-pronarët. Sipas tij, qeveria shqiptarë gabon rëndë kur mendon se mund t’i shlyejë ish-pronarët me vlera monetare.

Detyrimi që ka shteti shqiptar kundrejt pronarëve është në përmasa të jashtëzakonshme dhe nëqoftëse mendohet se pronarët shqiptarë do të kompensohen me vlera monetare, kjo nuk është zgjidhje e problemit, por përkundrazi është shkatërrimi i gjithë këtij problemi, që ka të bëjë me të drejtën e pronës. Pyetja më e parë është pse nuk duhet që këto objekte të dalin në privatizim të mos u jepen ish-pronarëve? Cila është logjika?” tha Vorpsi.

Një ditë më parë deputeti Erjon Braçe akuzoi se një sipërfaqe prej 1.2 milionë metra katrorë tokë po shiten pa transparencë dhe në mënyrë korruptive nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes./TCH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›