SKULPTORI I HEKURIT VLADIMIR NIKAJ
Nga Blloku i Shkrimtarit
Mbresa nga Italia
Nga MIHO GJINI
Mjeshtri i hekurit Vladimir Nikaj, artisti emigrant shqiptar në Itali, skulptori që gdhendi në masën e ftohtë të metalit tre shqiponja të gjalla, të cilat qëndrojnë me krenari maje shkëmbinjve dhe maja pemësh të larta, në çastin e fluturimit, nuk mund të të mos habitë me këmbënguljen, pasionin dhe arritjet artistike. Hekuri i është bindur këtij artisti fort të duruar, për të realizuar me pas disa vepra të tjera, po kaq interesante: Përkrenaren dhe Mburojën e Skënderbeut, Argjiron që matet të hidhet nga shkëmbi, Varkën Ilire me Vela, Kobrën që ka përdredhur trupin e ngritur kokën, gati të të hidhet, si edhe disa lloje lulesh, po prej hekuri, të cilat të qetësojnë po njëlloj, sikur të ishin të gjalla dhe të freskëta. Dhe akoma: dy punime artistike po në hekur, që fitojnë çmime të para në ekspozitat italiane (Emigrantët dhe Globi).
Kemi shkruar edhe herë tjetër për emigrantin nga Vlora, ish banor i Tiranës dhe tani qytetar i Italisë, që di ta trajtojë hekurin në shprehjet e përsosura të Artit Pamor. Ai jeton në Peskara, ka hapur një punishte hekuri afër shtëpisë ku banon dhe këtu e harron vetveten! Me veprat e tij të hekurta i bën sfida vetes, po edhe shoqërive të artistëve, duke sfiduar gjithë ata skulptorë që daltojnë drurin, allçinë, gurin, mermerin, alabastrën, apo edhe ata që bëjnë forma në bronz. Di ti japë trajtë hekurit, mandej edhe lëvizje. E bëri hekurin e ftohtë si një qenie të gjallë… Si frymorë. Shqiponjat e tij janë paraqitur në çastin e nisjes për fluturim, me një vështrim të mprehtë, me sqepin e kthyer gjysmë të çelur, me krahët në nderjen dhe hapjen maksimale, me kthetrat e ngulura mbi shkëmb a mbi degë drurësh, gati për tu vërsulur në hapësirë. Vrulli i tyre në nisje ka një dinamike jetë të jashtëzakonshme… Varkat Ilire duken sikur i flladit era e lundrimit të gjatë mbi tallaze dallgësh… Kobra është në çastin e hedhjes mbi viktimën, gati për të lëshuar helmin. Ndërsa Përkrenarja dhe Mburoja e Skënderbeut shndrisin nga një refleksion i çuditshëm i parabetejave të mëdha.
Dhe tani një figurë e stërgjatur, paksa e thyer, si e shtrembëruar nga koha dhe e gërryer nga erozionet e mëdha, me një hap të stërmadh, për të tejkaluar veten, kohën dhe epokën, duke patur si kryegjymtyrë një kokëpakokë (!), që ka humbur fizionominë njerëzore… Njëfarë britme që vjen nga thellësi katakombeshQenie jashtë kohë e brenda kohe njëherësh… Megjithatë një NJERI, një emigrant i petëzuar nga shtypjet e mëdha dhe i tjetërsuar nga konfuzioni shoqëror e ngërçet e politikës. Një qenie, me të vërtetë e petëzuar, si ato që kanë hyrë në ingranazhet e Çarli Çaplinit në filmin Kohët moderne! Një njeri me hap të stërmadh që ecën e nuk ecën dot,i mbetur në vend, pa vend, pa shtëpi, pa atdhe. Gjithçka dhe asgjë! O Zot! Vladimir Nikaj i ka thënë të gjitha këto, përmes hekurit. Dhe masa e hekurt është punuar me daltë të hollë, me sy të mprehtë dhe me frymëzimin e një artisti të madh.
Dhe pastaj Globi!…Apo më mirë Bota… Ndofta më saktë: TOKA!…E varur në një zinxhir të hekurt!…Bota që shpëton nga dora e njeriut që shtrihet për ta kapur! Toka në hapësirëQë sështë asgjëkundi dhe prapë është!…E varur dhe e pavarur!…E bukur dhe e shëmtuar!…Antiteza të shumta përplasen me njëra-tjetrën, tek e sheh këtë masë të hekurt e të rrumbullakët, të varur në një farë trekëndëshi në hapësirën e frikshme!…Si një ndëshkim dhe dënim i përjetshëm!… Një botë që kërkon ti shpëtojë dorës se njeriut dhe njëherësh një dorë njeriu që rreket dhimbshëm për ta prekur! E goditur, apo jo? Dhe këtë vepër artistike e bën një artist, pa shkollë të lartë, një talent shqiptar në Peskara të Italisë, bashkëshorti i Tatjanës nga fshati im, Piqeras, në Bregun e Poshtëm dhe babai i dy vajzave të mençura.
Në punishten e tij gjen vetëm makineri metalprerëse dhe hekur. Dhe hekuri merr formë, trajtë njerëzore dhe frymëmarrje në saj të duarve të tij prej mjeshtri. Vlerësuesit italianë të së bukurës, e dinë tanimë se ku ndodhet dhe me se merret ky burrë i shkurtër dhe i heshtur dhe nuk do kalojë shumë kohe që ata do ta quajnë të tyre edhe Atë. Vladimir Nikaj është tanimë një BANOR I BOTËS.