Historia e 9 vjeçarit që shet në rrugë për të blerë ilaçe për nënën
Speciale Njerëz në Udhëkryq
Rubrika e bazuar në histori njerëzore vijon edhe këtë javë në Tirana Observer. Personazhe reale që ndihen të pashpresë, që kanë provuar mbi vete, varfërinë, dhunën e pamundësinë për të jetuar normalisht, do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës tonë, historitë e tyre, apo fatin me të cilin këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë edhe pse vetëm i shkruar është një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi, ka ardhur koha të luftojmë me çdo armë fenomenet e dhunës, e në këtë rast fuqia e vetme që ne kemi është fjala. Kjo thirrje i drejtohet sidomos çdo gruaje, çdo vajze, çdo nëne që duron dhunën, për vete, apo për fëmijën e saj, mes dhimbjeve dhe kërcënimeve të përditshme nga bashkëshortët apo në shumë raste edhe nga familjarët e tyre. Sot do të flasim për një vogëlush i cili është i detyruar që të punojë, për më shumë se 10 orë në ditë për të mbajtur familjen e tij, me ushqime e më ilaçe. Albionin vetëm 10 vjeç mund ta gjesh në të gjitha rrugicat e ish bllokut duke të zgjatur duart ku mban disa kartonë të mbushur me paketa cigaresh, nga më të ndryshmet stilolapsa, çamçakëz dhe aksesore të tjerë, që i shet gjatë ditës. Edhe pse e dhimbshme ta dëgjosh, vogëlushi shprehet se për shkak të varfërisë në të cilën gjendet familja e tij, ai duhet të punojë e të mbledhë para për familjen. Ndërsa na rrëfen historinë e tij, Albino shprehet se shpesh herë është ndjerë i kërcënuar në rrugë, por sërish ka marrë kartonin e tij dhe ka vazhduar të punojë. Përpos të tjerave, Albioni shprehet se nëna e tij është e sëmurë dhe babai është i alkoolizuar ndaj ai është i detyruar të punojë në rrugë për të mbajtur me ushqim dy vëllezërit e tij të vegjël, e të mund të blejë ilaçet e nënës. Kjo histori tepër prekëse, nuk është e vetmja në rrugët e kryeqytetit, ndaj nëse dikush prej jush ka një rrëfim të ngjashëm për të treguar duke u bërë pjesë e apelit Stop punës së fëmijëve le të bashkohet me ne. Ju mirëpresim në tiranaobserver@gmail.com. Ju mirëpresim
Shes në rrugë, për të blerë ushqim, dhe ilaçet e nënës
9 vjeçari që detyrohet të punojë për të mbajtur familjen
Është vetëm 10 vjeç, por sapo nis të flasë ngjan me një person të rritur. E di fare mirë çdo të thotë që një i mitur të punojë, e të qëndrojë në rrugë për orë të tëra që nga mëngjesi e deri në darkë, orëve të vona për më tepër në një zonë tepër të frekuentuar nga të gjitha kategoritë e njerzve. Historia e vogëlushit Albion. A i përngjan historive në filma, por është një realitet i hidhur i ditëve tona. Minoreni që shpesh herë ka braktisur shkollën për të shitur në rrugë aksesore të ndryshëm, me qëllimin e vetëm që të mbajë me ushqim familjen e tij rrëfen se ai është i detyruar të punojë, edhe pse puna e fëmijëve ndalohet me ligj. Jeton në zonën e Kamzës, dhe nga shtëpia e tij niset herët në mëngjes për të mbërritur rreth orës 8 e gjysmë në zonën e ish bllokut, ku shet paketa cigaresh, dhe aksesore të tjerë. Në duar mban një pako të mëdha me çamçakëza, cigare të cilat i shet tek qytetarët në rrugë apo tek klientët në lokale, që tashmë janë mësuar me fytyrën e këtij vogëlushi dhe thuajse çdo ditë i lënë atij bakshish. Albioni ka një shtat të hedhur, është tepër i shkathët dhe rrallë herë e shikon në të njëjtin vend. Shet në rrugë për të ndihmuar familjen dhe përpos kësaj me paratë që fiton blen librat ushqehet gjatë ditës, madje ndonjëherë siguron edhe veshjet për në shkollë. Duke lëvizur me shpejtësi e duke i zgjatur kalimtarëve në rrugë apo qytetarëve që ulen në kafe, pakot me stilolapsa, çëmçakëza e ai zgjat duart e tij duke i parë njerëzit me shumë dashamirësi. Na rrëfen duke qeshur që ky është sekreti që njerëzit e duan dhe ndonjëherë i lënë dyfishin e parave që kushton produkti.
Historia
10-vjeçari nga Kamza rrëfen se familja e tij nuk ka aq para sa ti plotësojë të gjitha dëshirat apo nevojat e tij, madje prej një viti nëna e tij është e sëmurë dhe shpesh herë ai me paratë që fiton i blen asaj ilaçet, ndërsa shprehet se babai ka disa vite që është i alkoolizuar dhe nuk familja nuk mund të presë të ardhura nga ai. Fillimisht e ka nisur duke shitur stilolapsa pastaj mendoi të blinte në supermarkete çëmçakëza me çmim të lirë e ti shiste në zonën e bllokut. I blej 100 lekë(të vjetër) çëmçakëza dhe i shes 500 lekë (të vjetër), njerëzit e dinë që janë djegëse por në fakt nuk janë, skam çtë bëj se edhe unë do fitoj ca para thotë duke buzëqeshur 10- vjeçari duke u munduar të justifikohet për punën e tij. Ai tregon se i duhet të studiojë në darkë për shkollën sepse gjatë ditës merret me shitjen në rrugë, pro ka edhe raste kur nuk shkon në shkollë për javë të tëra për shkak se i duhet të punojë. Ndërsa përpiqet tu mbushë mendjen njerzve për të blerë produktet që ai ka në dorë na tregon se ndonjëherë ka merak se mos e largojnë policët nga rruga ku shet, pasi e di që puna e fëmijëve është e jashtëligjshme. Jam stërvitur më punë, që kur isha më i vogël, nuk kam qenë në kopësht dhe rrija gjithmonë pas babait tim që shiste dikur në treg, shes në rrugë për të ndihmuar prindërit e di që punësimi i fëmijëve ndalohet, por nëse nuk punoj unë atëherë nuk kemi me çfarë të jetojmë, shprehet me një frymë Albioni.
Fenomeni
Djaloshi 9 vjeçar tregon se i vjen keq për veten dhe për moshatarët e tij që lypin në rrugë apo fëmijët e tjerë që shesin cigare pasi kjo nuk është e drejtë. 10 vjeçari rrëfen se ka pasur raste kur shokët e tij që shesin bashkë me të në rrugë, e konsumojnë edhe vetë cigaren dhe shpesh herë shfrytëzohen nga të rriturit. Ai thotë se ka disa shokë që shesin në rrugë pa dijeninë e prindërve, por dhe edhe të tjerë që vetë prindërit e tyre i nxjerrin në rrugë për orë të tëra duke i detyruar të fitojnë para duke shitur në rrugë. Kam disa shokë që edhe pse nuk duan të shesin e të lypin në rrugë detyrohen nga prindërit ta bëjnë këtë gjë, madje ka raste kur i shoh të qajnë e të ankohen se prindërit e tyre nuk i çojnë në shkollë dhe i kanë detyruar të punojnë në rrugë edhe duke i rrahur shprehet minoreni A.A. Sipas 9 vjeçarit shteti duhet të marrë masa, për familjet në nevojë, në mënyrë që fëmijët e këtyre familjeve të mos detyrohen të punojnë në rrugë si në rastin e tij. Vogëlushi i bën apel shtetit që të japë ndihma për familjet që nuk kanë me çfarë të jetojnë, dhe institucionet të sigurojnë punësimin e një familjari në mënyrë që njerëzit që vuajnë prej varfërisë të kenë një burim jetese. Nëse babai im do të punonte, apo shteti do të na jepte një pagesë për të mos vuajtur për bukë, meqë jemi familje e varfër unë nuk do të dilja kurrë në rrugë të shisja, por do të shkoja në shkollë, ndaj nuk kam çfarë të bëj, jam i detyruar të punoj e mbyll rrëfimin e tij vogëlushi 10-vjeçar.