SLLOVAKI – Tetëmbëdhjetë të plagosur pas përplasjes së trenave

BRATISLAVË, 10 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri sllovak, Robert Fico ka refuzuar dorëheqjen e ministrit të Transportit pas një incidenti të dytë të ngjashëm në më pak se një muaj, sipas Agjencisë Sllovake të Lajmeve (TASR).
“Tetëmbëdhjetë persona që u plagosën në një përplasje trenash dje në mbrëmje mbeten në spital”, thanë sot zyrtarët sllovakë.
Një tren rajonal me shpejtësi të lartë nga Bratislava për në Nitra u përplas me një tren me shpejtësi të lartë nga Kosice për në Bratislavë që udhëtonte në të njëjtin drejtim pasi u largua nga stacioni i Pezinok.
Ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj dhe zyrtarë të tjerë thanë se 79 pasagjerë, nga rreth 800 në total, u dërguan në spitale, shumica e tyre me plagë të lehta.
“Tetembëdhjetë prej tyre ishin ende të shtruar në spital dhe askush nuk ishte në gjendje kërcënuese për jetën”, tha ministri i Shëndetësisë Kamil Sasko.
“Përplasja ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor”, tha sot kryeministri Robert Fico, ndërsa hodhi poshtë dorëheqjen e ministrit të Transportit, Jozef Raz Jr për shkak të incidentit të dytë të tillë brenda një muaji.
Megjithatë, Fico tha se do t’i kërkonte Raz të shkarkonte menaxhimin e kompanisë kombëtare hekurudhore ZSSK, megjithëse hetimi nuk ka përfunduar ende.
Trafiku hekurudhor mbeti i mbyllur në të dy drejtimet në seksionin midis Pezinokut dhe Bratislavës të hënën.
Më 13 tetor, dy trena të shpejtë u përplasën në Sllovakinë lindore, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra pasagjerëve, përfshirë dy prej tyre në gjendje të rëndë. //a.i/