SOFT NEWS – ”Corriere della sera”: Aksioni i pazakontë i zjarrfikësve shqiptarë për përballimin e temperaturave të larta

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ – Në qytetin e Gramshit, mes valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin, zjarrfikësit ndërmorën një aksion të pazakontë për të ndihmuar banorët të përballonin temperaturat e larta, sipas prestigjiozes italiane “Corriere della sera”.
Automjetet e zjarrfikësve kaluan nëpër rrugët e qytetit duke spërkatur ujë dhe krijuar një mjegull freskuese, ndërsa termometri arriti deri në 38 gradë Celsius.
Dhjetëra banorë dolën nga shtëpitë për të gjetur pak freski dhe, të shoqëruar nga muzika, e shndërruan momentin në një festë spontane në rrugë.
Ngjarja vjen në një kohë kur pjesë të mëdha të Evropës po përballen me temperatura rekord.
Sipas programit evropian “Copernicus”, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit po shtojnë rrezikun e zjarreve pyjore dhe fenomeneve të tjera ekstreme klimatike./ /Ad.Ab./ a.jor.