Beci: Plan i përbashkët masash për menaxhimin e trafikut në Shkodër gjatë sezonit veror

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri të ditur se është vënë në zbatim një plan i përbashkët masash mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit për menaxhimin e qarkullimit në qytet, përballë fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.
Në një postim sot në rrjetet sociale, Beci theksoi se periudha e verës shoqërohet me kthimin e bashkëqytetarëve nga emigracioni, si edhe me rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve, çka sjell ngarkesë më të madhe në akset kryesore të qytetit.
Sipas tij, për të lehtësuar trafikun në segmentet më të ngarkuara, strukturat përgjegjëse ndodhen në terren dhe po koordinojnë zbatimin e masave të nevojshme për mbarëvajtjen e qarkullimit.
“Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë hartuar një plan të përbashkët masash për të bërë të mundur lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në qytetin tonë”, u shpreh Beci.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të bashkëpunojnë me efektivët e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të respektojnë udhëzimet e tyre, si edhe rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe të lehtësuar për të gjithë.
/e.i/j.p/r.e/