E Diel, 1 Nëntor 2026

SONILA MEÇO/ Nga ‘s’keni parë gjë akoma’ në ‘vetpërmbajtje’

Si janë katandisur kështu xhanëm, kanë mbathur monopolin shtetëror të forcës dhe po e përdorin barbarisht pa dhënë hiç llogari?!

Po ç’është kjo egërsi? Tërheqin zvarrë në mes të ditës një vajzë të mitur, të vetme, duke kërkuar prindërit, pasi është mbytur me shtëllunga gazi lotsjellës, rrethuar nga dhjetra forca policore. Shteti ka detyrim të shtuar për ta mbrojtur të miturën, edhe kur ka arsye ligjore për ta ndaluar.
Po si nuk u bën syri tërr as para kamerave? Mendojne se trembin? Se krijojnë frikë?

Pale kur po ky palo pushtet u bën moral njerërzve për vetpërmbajtje, pushteti i filozofisë “s’keni parë gjë akoma”.
Si mund ta kërkosh sot qetësinë e njerëzve që u ke shkatërruar çdo mekanizëm paqësor për të ndryshuar fatin e tyre?!

Kanë 4 muaj në protesta e nuk i dëgjon.
Ua masakrove votën, i le pa drejtësi, i dhe krimit status dhe pushtetit më të korruptuar e kriminalizuar në Europë imunitet dhe pret që frustrimi kolektiv të zhduket? Po nuk ka rrugë tjetër, as fiziologjike, veçse të grumbullohet gjersa frika nga pasojat të bëhet më e vogël se neveria ndaj realitetit.

Kjo është psikologjia bazike e revoltës së qytetarit. Edhe e adoleshentes që dëgjon prindërit çdo mbrëmje në beteja mbijetese.

Pushteti që ka normalizuar dhunën institucionale duhej ta dinte se do të plaste një ditë dhuna e rrugës.
Ngjiren sot për vetëpërmbajtje ata që i ka zhveshur prej çdo mjeti ndikimi dhe arrin deri aty sa t’u bëjë ekspertizë morale???
Dmth pasi monopolizuat shtetin ju ka mbetur edhe akti i fundit, të monopolizoni edhe të drejtën për të humbur kontrollin.

Jemi vend i vogël, as 1 milionë e gjysmë nuk kemi mbetur. Të shpopulluar e zhvatur, një grusht na kanë lënë. Ai polici aty ka gjakun e vet diku në protestë. Aq kemi mbetur. Aq!

Sponsorizuar

Franca ka 70 milionë banorë dhe çdo mjet institucional, demokratik për të reaguar. Ne na kanë shtrydhur çdo mundësi, as sindikata, as referendume, as shoqëri civile, as protesta, as përfaqësim. Nuk gdhihet Franca çdo ditë me krimin e organizuar në shtretërit e policisë, administratës, qeverisë, pushteteve të çdo lloji.

E sërish, me qindra valvula shkarkimi dhe demokraci në proces e ndezin protestën, e shfryjnë frustrimin, e shprehin indinjatën me çdo formë.

Po ne? Ore ne të vjedhurit, zhvaturit, përzënët, poshtëruarit, përçudnuarit, që s’na është lënë asnjë mundësi tjetër veç ikjes duhet të sillemi më mirë se francezët? Po njerëzit sot e sidomos të rinjtë nuk po revoltohen vetëm nga ajo që u është bërë e bëhet, por edhe nga bindja e palëkundur se nuk ekziston më asnjë rrugë për ta ndalur këtë narkoshtet të panginjur.

Ky pushtet me dishepujt e vet mbylli sistematikisht çdo rrugë institucionale të pakënaqësisë, ai është shkaktari i vetëm i kushteve që pakënaqësia të dalë jashtë kontrolli e të shprehet me çdo formë. Shkaktarët janë lakuriq, si mbreti i tyre. Kush u jep apologji, qoftë edhe nëpërmjet relativizimit nuk po mbron rendin.

Përkundrazi po ushqen valë edhe më të egër dhune prej atyre që kërkojnë shtet.
Ky pushtet është i vetmi që nuk mund të apelojë qytetarët për vetëpërmbajtje. Sepse atë nuk e ushtruan kurrë institucionet e veta. Përkundrazi mbollën sundim e kërkojnë edhe sot nënshtrim, kërkojnë që barbaria të vijojë të ushtrohet pa u shqetësuar.

Dhe kanë pafytyrësinë ta quajnë këtë lloj nënshtrimi, qytetari.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›