E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK arreston administratorin e inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja

Administratori i kompanisë “ECO-ELB”, që menaxhon inceneratorin e Elbasanit, është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimin se ka marrë 400 mijë lekë në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte funksioni i tij.

Leli Kaja u arrestua në flagrancë pasditen e sotme nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorit të çështjes. SPAK e dyshon për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas SPAK, hetimi është regjistruar më 1 tetor 2026, pas referimit të BKH-së, ndërsa gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore, sipas Prokurorisë së Posaçme, Kaja dyshohet se i ka kërkuar dhe marrë administratorit të një operatori ekonomik shumën prej 400 mijë lekësh, si përfitim të paligjshëm.

Paratë dyshohet se janë dhënë në këmbim të moskryerjes së detyrave që Kaja kishte për shkak të funksionit si administrator i “ECO-ELB”.

“Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në korrik 2025, Prokuroria e Elbasanit zhvilloi kontrolle në disa banesa të personave të lidhur me aktivitetin e kompanisë, mes tyre edhe në banesën e Leli Kajës.

Në fokus të atij hetimi ishin marrëdhëniet institucionale dhe financiare të “ECO-ELB” me bashkitë e qarkut Elbasan, përfshirë pagesat për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve.

Sipas të dhënave të referuara në hetimet e Prokurorisë së Elbasanit, impianti gjatë vitit 2022 kishte funksionuar vetëm për rreth 24 ditë, ndërsa pagesat ndaj kompanisë kishin vijuar edhe gjatë periudhës kur inceneratori nuk ishte funksional.

Për periudhën nga dhjetori 2021 deri në fund të vitit 2022, Bashkia Elbasan raportohet se kishte paguar rreth 550 milionë lekë të vjetra për shërbimet përkatëse.

Hetimet janë shtrirë gjithashtu te kontratat e “ECO-ELB” me kompani private për menaxhimin e mbetjeve, përfshirë kontratën me kompaninë “Ergi” sh.p.k.

Një tjetër problem financiar që është raportuar për kompaninë lidhet me detyrimet ndaj OSHEE-së. Në mars 2026, “ECO-ELB” raportohej se kishte mbi 2.7 milionë euro detyrime ndaj operatorit të energjisë elektrike, përfshirë kamatëvonesat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›