E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan-Qafë Thanë, Kozeli: Punimet në fazën përfundimtare për hapjen e 7,8 km të para

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Punimet në segmentin rrugor Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, po vijojnë me intensitet, ndërsa pjesa e parë e këtij aksi ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, së bashku me inxhinierët e ARRSH-së, inspektoi kantieret e këtij segmenti, ku aktualisht janë në zbatim 7 faza të punimeve.

“Jemi në terren për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve në segmentin Elbasan–Qafë Thanë, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të Korridorit VIII. Pjesa e parë e këtij segmenti është në fazën e fundit dhe shumë shpejt do të mundësohet hapja për qarkullimin e mjeteve në rreth 7,8 kilometra”, u shpreh Kozeli.

Ai theksoi se monitorimi në terren synon evidentimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme për të garantuar vijimin e punimeve sipas grafikut të përcaktuar.

“Po ndjekim nga afër çdo detaj të punimeve në të gjitha kantieret, për të zgjidhur problematikat e hasura dhe për të siguruar përfundimin me cilësi të kësaj vepre strategjike për infrastrukturën rrugore të vendit”, deklaroi Kozeli.

Segmenti Elbasan–Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII, një projekt me rëndësi për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetet europiane të korridoreve të transportit.

1 nga 7

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›