E Enjte, 5 Nëntor 2026

SPAK cakton “Arrest në shtëpi” për kryebashkiakun e Tropojës Rexhe Byberin

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest Shtëpie” për Kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhe Byberin dhe zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja.

SPAK njofton se, ka regjistruar procedimin penal nr. 1 të vitit 2024 për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës”, bazuar në nenet 248, 205 dhe 150 të Kodit Penal. Procedimi lidhet me një çështje të nisur në vitin 2021 nga Prokuroria e Kukësit, e cila është transferuar për kompetencë te SPAK.

Hetimet kanë zbuluar se Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhe Byberi, dhe zëvendësi i tij, Abedin Kërrnaja, dyshohen për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me legjislacionin për ndërtimin e rrugëve. Konkretisht, ata akuzohen për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Rexhe Byberin dhe Abedin Kërrnajan, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dërguar për ekzekutim vendimin Nr.112 datë 06.09.2024 të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›