SPAK çon në gjyq “Metamorfozën”, 14 të akuzuar për një seri krimesh të rënda

Nga Blerina Cene
Dosja e vëllait të ish- deputetit socialist, Xhelal Rraja, Emiljano Shullazit, Astrit Avdylit e 11 anëtarëve të një organizate kriminale u dërgua për gjykim nga Prokuroria e Posaçme. Të 14 akuzohen për kryerjen e veprave shumë të rënda penale, ku Rraja dyshohet se ka krijuar kushtet për të vrarë deputetin Arben Ndoka.
“I pandehuri Xhelal Rraja, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë muajit Janar 2021 në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arben Ndoka”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Emiljano Shullazi nga ana tjetër sipas prokurorisë është provuar që të ketë kryer tentativë për vrasjen e bashkëshortit të gjyqtares së Apelit, Saida Dollani.
“I pandehuri Emiljano Shullazi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një çështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje”, thuhet më tej.
Ndërkohë, Astrit Avdylaj ka dashur të vrasë, Leonard Dukën e vëllain e tij, ndërsa klani Duka, do asgjësonte kundërshtarin e tyre, dikur mik, Ervis Martinaj që është zhdukur në gusht të 2023. Gjatë hetimeve vihet në dukje se grupet rivale karakterizohen nga dhuna e egër e përdorur mes tyre për të eliminuar njëri tjetrin.
/vizionplus.tv