SPAK çon për gjykim Ervis Martinajn, zbardhet dosja e vrasjeve dhe atentateve nga grupi kriminal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar zyrtarisht për gjykim procedimin penal nr. 9/2 të vitit 2023, një dosje e cila ka në fokus qendror shtetasin Ervis Martinaj dhe tetë persona të tjerë. Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke përfshirë vrasje, atentate të planifikuara dhe korrupsion në drejtësi.
Akuzat e rënda që rëndojnë mbi Ervis Martinajn
Sipas njoftimit zyrtar të nxjerrë nga dokumenti i SPAK, Ervis Martinaj është marrë i pandehur si pjesë e një organizate kriminale dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza kryesore. Martinaj akuzohet për vrasjen e shtetasit Gjin Ndoj (Boriçi), një ngjarje e kryer më 9 gusht 2020 në qytetin e Shkodrës. Kjo vepër, sipas prokurorisë, është kryer në formë të veçantë bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet gjithashtu për “Sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu. Ndaj tij rëndon edhe akuza për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e kryer po në bashkëpunim si grup kriminal.
Rrjeti i të pandehurve të tjerë dhe shënjestrat e atentateve
Në të njëjtin procedim penal, krahas Ervis Martinajt, SPAK ka dërguar në gjyq edhe tetë persona të tjerë, rolet e të cilëve lidhen me ekzekutime, sigurim kushtesh për vrasje dhe përfshirje në korrupsion.
Denis Brajoviq akuzohet bashkë me Martinajn për vrasjen e Gjin Ndoj (Boriçi) në Shkodër. Gjithashtu, ai akuzohet për sigurimin e kushteve për të vrarë shtetasit Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, si dhe për armëmbajtje pa leje. Përveç Martinajt, për sigurimin e kushteve për të eliminuar Kleant Musabelliun, akuzohet edhe i pandehuri Klaodor Hakaj.
Plani ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit lidhet me sigurimin e kushteve për vrasjen e këtyre dy shtetasve. Përveç Denis Brajoviq, janë marrë të pandehur edhe Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Nuredin Dumani dhe Bardhyl Mavraj.
Të pandehurit Eljon Hato dhe Arsad Bashli akuzohen për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë edhe ndaj shtetasit Tauland Pepa, ngjarje e datës 21 shkurt 2021 në Shkodër. Të dy këta shtetas, së bashku me Bardhyl Mavrajn, akuzohen gjithashtu për “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Hetimet vijojnë për bashkëpunëtorë të tjerë
Ndonëse dosja kryesore i ka kaluar gjykatës për 9 të pandehurit e mësipërm, SPAK ka sqaruar se hetimet për këtë rrjet nuk janë mbyllur përfundimisht. Sipas prokurorisë:
“Për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm në kryerjen e veprave penale të mësipërme, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të bëra në kuadër të këtij procedimi penal, është vendosur ndarja e çështjes penale, e cila vazhdon të jetë në fazën e hetimeve paraprake.”
/rtsh.al/