E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK dërgon për gjykim kryebashkiaken e Roskovecit

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se përfundoi hetimet dhe ka dërguar sot për gjykim procedimin penal të nisur në vitin 2023 në ngarkim të kryetares së bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi.

Ajo akuzohet për veprën penale, “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga Kodi Penal.

SPAK njoftoi se nga analiza e akteve dhe provave të administruara, gjatë hetimeve të kryera për këtë procedim penal, rezulton se kryebashkiakja Bufi në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit, G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.

SPAK i referohet një audiopërgjimi të publikua në media ku Majlinda Bufi shfaqet e revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i Kushteve të banimit për familjet e varfëra dhe të pafavorizuara”.

“Hetimet konstatuan se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i saponisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se e pandehura kishte dijeni për përfshirjen e tij në program”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kërkesa e Bufit drejtuar shtetasit G.B, sipas SPAK, është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Ai ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 maj 2023, sikurse ka qenë vullneti i tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›