E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK i komunikon akuzat e reja, Belinda Balluku zyrtarisht e pandehur për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shkelje e barazisë në tendera në 9 raste

Ish zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shkelje e barazisë në tendera.

balluku spak

Ish vartësja e kryeministrit Rama ishte vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera për procedurën tenderuese të tunelit të Llogarasë, por tani i është shtuar zyrtarisht kjo akuzë edhe për 8 tendera të tjerë, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe.

Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur edhe për korrupsion pasiv në dy raste, fshehje dhe mosdeklarim pasurie në dy raste dhe pastrim parash për dy vilat.

Akuzat iu komunikuan ditën e sotme, teksa ajo ishte e pranishme në ambientet e organit të akuzës e shoqëruar me avokatin e saj, Ardian Kalia. Krahas akuzave të reja, Prokuroria e Posaçme i komunikoi Ballukut edhe zgjatjen e hetimeve ndaj saj deri në janar.

Në muajin dhjetor, SPAK iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të saj si deputete, për t’i hapur më pas rrugën dhënies së një mase më të rëndë sigurie ndaj saj, si arresti në shtëpi apo arresti në burg, por maxhoranca socialiste, me votat e saj refuzoi.

VILAT E SEKUESTRUARA

SPAK i sekuestroi dy vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit Igli Tare.

Vila e parë u zbulua në Dhërmi, me një vlerë prej 145 mijë eurosh, dhe u sekuestrua në qershor. SPAK dyshon se Balluku e ka përfituar vilën si ryshfet për një tender në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh në kohën që kur ajo drejtonte “Albcontrol”.

Sipas organit të akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol, shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.

Ndërsa vila e dytë, në Palasë, iu sekuestrua në shtator. Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se e përfitoi vilën në Palasë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.

Sipas hetimit, investimi në vilë u krye nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë që SPAK e përllogarit nga 288,616 deri në 410,526 euro. Fillimisht, për ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë dyshohet se është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.

SPAK pretendon se Balluku e ka fshehur pronësinë reale duke e regjistruar vilën në emër të Igli Tares. Për këtë qëllim, sipas prokurorisë, është përdorur edhe një kontratë e dyshuar si fiktive shitjeje, e datës 12 shtator 2025.

NJOFTIMI I PLOTE:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.

• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›