SPAK operacion te “Kodra e Diellit”, “arrest shtëpie” për drejtoren e AKSH, burg për biznesmenët Ergys Agasi e Ermal Beqiri

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, BKH ka nisur një operacion në mëngjesin e kësaj të marte ku me urdhër të gjykatës janë lëshuar dhe disa masa sigurie. Bëhet fjalë për hetimet e kryera për abuzime të dyshuara me tenderë publikë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Burime bëjnë me dije se që në orët e para të mëngjesit, strukturat e SPAK-ut, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, zhvilluan kontrolle në rezidencën “Kodra e Diellit” në Tiranë, ndërsa operacioni vijon ende.
Sipas burimeve është caktuar masë arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Ndërkohë, masa “arrest me burg” është vendosur për dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, por këto masat nuk janë ekzekutuar pasi ata nuk janë gjetur në banesë.
Agasi dyshohet se është larguar disa javë më parë jashtë shtetit. Gjithashtu, është marrë masa e pezullimit nga detyra për zëvëndësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili. Hetimet për këtë çështje kanë nisur rreth një vit më parë dhe po drejtohen nga prokurori i SPAK-ut, Bledar Maksuti.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave. Pritet një reagim zyrtar nga SPAK në lidhje me këtë operacion.