E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i sigurimeve në rritje dyshifrore, shqiptarët shpenzuan 22.4 miliardë lekë, por kompanitë paguan më pak dëme

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë 10-mujorit të parë të vitit 2025, duke u zgjeruar me mbi 10% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare për periudhën janar-tetor 2025, të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën vlerën e 22.4 miliardë lekëve (rreth 220 milionë euro). Kjo shënon një rritje prej 10.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Edhe numri i qytetarëve apo bizneseve që kanë lidhur një kontratë sigurimi është rritur. Numri i kontratave arriti në mbi 1.38 milionë, me një rritje prej 5.12%.

Dominon “makina”, rritet Kartoni Jeshil

Struktura e tregut vazhdon të mbetet e pandryshuar, ku sigurimet e detyrueshme (kryesisht ato të mjeteve motorike) zënë “pjesën e luanit” me 62.08% të totalit të tregut.

Sigurimi motorik solli rreth 13.9 miliardë lekë të ardhura, duke u rritur me 12.95%. TPL e brendshme u rrit me rreth 14%, çka tregon shtimin e numrit të mjeteve në qarkullim.

Kartoni Jeshil pati një rritje prej 10.39%, një indikator që tregon se shqiptarët kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit me mjetet e tyre.

Sigurimi kufitar ishte i vetmi zë me rënie (-1.47%), duke reflektuar më pak hyrje të mjeteve të pasiguruara në kufi.

Më shumë të ardhura, më pak dëme të paguara

Ndërsa kompanitë e sigurimeve kanë arkëtuar më shumë para nga qytetarët, ato kanë paguar më pak për dëmshpërblime gjatë këtij 10-mujori.

Dëmet e paguara bruto arritën në 6.9 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.99% krahasuar me vitin 2024. Pjesa më e madhe e këtyre pagesave (rreth 76%) shkoi për dëmet e shkaktuara nga aksidentet rrugore (sigurimi motorik), ndonëse edhe ky zë pësoi një ulje të lehtë prej 0.35%.

Gjallërohet sigurimi i jetës dhe pronës

Ndonëse tregu dominohet nga Jo-Jeta (91.65%), vihet re një tendencë pozitive tek sigurimet vullnetare dhe ato të Jetës.

Sigurimi i jetës u rrit me 13.87%, duke arritur në 1.86 miliardë lekë. Brenda sigurimeve vullnetare, sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës u rrit me 4.53%, ndërsa numri i kontratave për pronën u rrit me afro 10%, duke treguar një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve për të siguruar banesat dhe bizneset.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›