E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK refuzon kërkesën e Veliajt për t’u takuar me përfaqësuesit e KiE

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shpreh sot se ka refuzuar kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për një takim zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.

Në përgjigje të kërkesave të medieve, SPAK bën të ditur se, “në datën 11.11 2025, përmes një kërkesë dërguar Prokurorisë së Posaçme, i pandehuri Erion Veliaj ka kërkuar lejimin e një takimi zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre”.

Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën e tij më datë 18.11.2025, duke e mbështetur në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve””, bën të ditur SPAK.

SPAK gjithashtu thekson se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

“Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, thuhet në reagimin e SPAK.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›