SHBA – Takim Trump-Mamdani në Shtëpinë e Bardhë

UASHNGTON, 20 nëntor /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, pritet të takohen nesër në Shtëpinë e Bardhë, pas muajsh përplasjesh dhe deklaratash të ashpra gjatë fushatës zgjedhore të qytetit, sipas BBC.
Mamdani, një socialist demokrat 34-vjeçar, fitoi garën për kryebashkiak të Nju Jorkut në fillim të këtij muaji duke mposhtur me nëntë pikë ish-guvernatorin Andrew Cuomo.
Pak i njohur përpara zgjedhjeve, ai tani është shndërruar në një figurë me profil kombëtar.
”Takimin e ka kërkuar kryebashkiaku komunist dhe ai do të mbahet në Zyrën Ovale”, tha Trump në një deklaratë.
Zëdhënësja e Mamdanit, Dora Pekec, tha se takimi është praktikë e zakonshme për administratat e reja bashkiake.
”Kryebashkiaku i zgjedhur planifikon të takohet me presidentin Trump në Uashington për të diskutuar sigurinë publike dhe atë ekonomike për të cilat votuan mbi një milion banorë të Nju Jorkut dy javë më parë”, deklaroi Pekec.
Përplasjet mes Trumpit dhe politikanit të ri nisën pas fitores së Mamdanit në zgjedhjet paraprake të qershorit.
Trump e ka quajtur atë komunist dhe ka kërcënuar se do të bllokojë miliarda dollarë fonde federale për qytetin.
Në javët para zgjedhjeve, Trump, vetë i lindur dhe rritur në Nju Jork, e portretizoi shpesh Mamdanin si ekstremist që nuk ka punuar asnjë ditë në jetën e tij.
Në një lëvizje të pazakontë në minutat e fundit, ai mbështeti rivalin e Mamdanit, Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur./ /Ad.Ab./