E Premte, 6 Nëntor 2026

SPAK sekuestron pasurinë e Oltian Bistrit

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka sekuestruar pasurinë e Oltian Bistrit, ish-shefit të Operacionales dhe familjarëve të tij.

Sekuestrim i i pasurisë është ndërmarrë mbi bazën e verifikimeve pasurore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 9, të vitit 2023, ka regjistruar procedimin pasuror nr. 6, të vitit 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.

Sipas SPAK, “duke qenë se ndaj shtetasit Oltian Bistri ka pasur indicie që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal nr. 09, të vitit 2023, të Prokurorisë së Posaçme, është marrë i pandehur për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal, në bazë të nenit 3/1, germat (ç) dhe (d), të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, shtetasi Oltian Bistri është subjekt i këtij ligji dhe mundet që t’i nënshtrohet masave parandaluese pasurore”.

“Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij”, bën të ditur SPAK.

Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 19, datë 03.05.2024, ka vendosur sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.

Në total janë sekuestruar: 22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 – Apartamente; 1 – Vilë; 1 – Truall; 1 – Garazh; 1 – Automjet. Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 euro.

Prokuroria e Posaçme ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe të gjitha pasuritë e mësipërme janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›