E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK zbardh skemën ‘Hawala’ për pastrimin e parave nga Zvicra, GJKKO lë në burg Burim Ferizajn dhe Përparim Kalbajn

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj. Ata akuzohen se kanë futur miliona euro në Shqipëri nga Zvicra, duke përdorur një skemë të fshehtë financiare të njohur si “Hawala”.

Vendimi, i marrë të hënën nga gjyqtarja, Irena Gjoka, erdhi pas një kërkese nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për të verifikuar dhe vazhduar masën e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar fillimisht për ta më 14 korrik.

Të dy të hetuarit dyshohen se kanë kryer veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në kuadër të këtij hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në Zvicër u arrestua edhe Ervis Ferizaj.

Sipas SPAK, dyshohet se paratë e pista, me burim trafikun e drogës, janë transferuar në qindra raste përmes zyrave të këmbimit valutor dhe agjencive turistike. Për çdo transaksion, tarifa e shërbimit ka qenë 6% e vlerës.

Çfarë është sistemi “Hawala”?

Sistemi “Hawala” është një mënyrë joformale për të transferuar para, e cila nuk përfshin lëvizje fizike të parave apo regjistrime bankare. Në vend të kësaj, paratë kalojnë përmes një rrjeti agjentësh të quajtur “hawaladarë”, të cilët operojnë mbi bazën e besimit.

Për shembull, një person në një vend dëshiron t’i dërgojë para dikujt në një vend tjetër. Ai i jep paratë hawaladarit lokal, i cili më pas lajmëron një hawaladar në vendin tjetër që t’ia japë shumën marrësit. Borxhet mes dy hawaladarëve rregullohen më vonë, shpesh përmes tregtisë.

Ndonëse i njohur për shpejtësinë, tarifat e ulëta dhe fshehtësia, e sidomos mungesa e dokumentacionit zyrtar e bën sistemin “Hawala” ideal për aktivitete kriminale si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit dhe trafikimi. Për këtë arsye, autoritetet financiare ndërkombëtare e ndjekin nga afër këtë sistem dhe e lidhin shpesh me krimin e organizuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›