Shpërthimi në Velipojë, Manastirliu viziton në spital nënën dhe tre fëmijët e plagosur

Katër anëtarë të një familje nga Lezha kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një hotel në Velipojë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe të lënduar mbetën K. Gjoka 15 vjeç, D. Gjoka 18 vjeç, E. Gjoka 19 vjeç dhe A. Gjoka 30 vjeç. Të katër të plagosurit u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nisur nga gjendja e rëndë, u nisën më pas me helikopter në pavijonin e djegieve në QSUT. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar të plagosurit duke u shprehur se “mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë”. “Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, theksoi Manastirliu.