SPROVAT
Milanov KALLUPI
SPROVAT
Ai gur prej shekujsh është rrokullisur aty e pakzë e i qetë sheh nga rruga e pret. Udhëtarët vijnë e i mbështeten në sup duke u ngjarë plakush me thinja të hirta, fëmijët i mban kaliqafë e u thotë se çapkënllëqet do t’ua hajë mosha e burrit.
Dielli ia djeg lëkurën pa e ditur se nesër shiera e qull gjer në palcë e prapë në zgavrat e terrta mëkon farën e hedhur të një trëndafili të egër
e në zemrën e tij prej guri fërgëllojnë përjetësisht trupat e mishtë të ditëve e netve.
UDHËTIMI I HAPAVE
Si kudo, edhe në këtë shteg udhëtojnë hapat e rëndë si guri e të lehtë si era, hapat që diku e kishin fillimin e diku e kanë fundin e largët.
Unë e di kush hapëroi para meje, siç nuk e di pas meje kush vjen
nëpër shtigjet e botës, ku dëgjoj zërin e dallëndyshes dhe ulërimën e ujkut
e ato mpaken nën plagët tona e bëhen udhë e udhët hapësira të fluturimeve të etshme, ku qiejt e largët lënë takim me ne e ne nuk ngurojmë se çapituri e flatruari...
PO TË SHKONI ATJE
S’jemi murgj të Ardenicës që çapitemi nën hijet hollake të qiparisave,
s’vijmë këtu të vëmë kurorë a të pagëzohemi në Kishën e Skënderbeut.
Jemi veç dy kalimtarë jo të rastit që syzohemi me fluturimet e pëllumbave
e pastaj na ulen në supe aq paqësisht e pafajësisht, si dashuria jonë,
duke na çuçuritur: tek altari mbillni dy qirinj të digjen në heshtje.
Njerëz! Po të shkoni atje, përherë do të gjeni dy flakëza që puthen si sfida të vdekjes.
LARG
Ti je larg, por mes nesh rri pezull krahu i bardhë i pulëbardhës, që më thotë se dashurinë s’ta bleva, vetë ma dhurove në një fundvjeshtë,
paçka se drurët lakuriq mërdhihnin jashtë e dridheshin prej shirave të ftohtë.
S’besoj se të kam humbur, si mund që ta besoj, kur në buzët e mia ende pikon aroma e luleshtrydheve të puthjeve, kur zemra pulson nën ritmin e kujtimit të bredhjeve e prekjeve dhe gjaku, që vërshon, këndon këngën e afërisë e të mosharrimit.
DRITAT ME HIJET
Shihni si dialogojnë dritat me hijet, qiejt me tokën, gjethet me degët, degët me ftutat, frutat me fëmijët, këmbët me asfaltin, sytë me zemrën, zemra me qenien, gjaku me venat, venat me trupin, trupi me jetën, jeta me stinët, stinët me kohën, koha me duart, duart me trupin tënd të lëmuar që pret, e dashur.
NËSE...
Nëse më shihni në rrugë a gjetiu duke parë sytë e thellë të vajzave e grave, mos më merrni për kodosh, për Don Zhuan klasik e të regjur. Nëse më shihni në rrugë a gjetiu duke parë sytë e menduar të vajzave a grave,
them se e gjithë dita e bota është imja dhe s’mund t’i harroj çastet e magjishme.
Nëse më shihni në rrugë a gjetiu duke parë sytë e hirshëm të vajzave a grave, të mos ju shkojë mendja se mëkatoj. Shoh sytë e gruas sime.
RRJEDHJE
Gjithçka në këtë botë rrjedh: koha nëpër gishtërinjtë e mi të butë, era nëpër lugajat e thella, ujët nëpër gurë, kanione e detra, lolët prej syve të pikëlluar, gjaku nga trupi i sakatuar, djersët nga ballet e venedikta, jeta nën hapësirat e kaltra e të hirta... Gjithçka rrjedh e shkon në rrugën e vet mpleksur me fillin e Arianës në heshtje dhe unë shtrihem, mbyll sytë i qetësuar se s’mund ta ndal këtë rrjedhje.
MONOLOG GRUAJE
Në shtratin tim tok me mua është shtrirë një tigër pikëllimi, susta është hepuar nga guri i dhembjes së zemrës lënguese, barku im është bosh, prej tij ende asnjë pëllumb s’ka fluturuar, çdo natë shoh ëndrra me djaj të zinj, fantazma e gjarpërinj, shahem e klithmohem me veten, kacafytem keqas gjer në vetëflijim, por dita vjen e ringjallem prapë e pëllëmbët mbështes te supet e shpresës dhe tej mjegullës së dëshpërimit më shfaqen ca krahë diellorë që vetëm zgjaten.
DRU I VJETËR
A s’i ngjaj edhe unë një druri të vjetër, të vetmuar e të rrëgjuar, me lëkurën e ashpër të ballit, thellë të hullizuar rrudhash, ku ikin e vjnë fshehtësisht milingonat e mendimeve?
Kam duruar kamzhikët e erës, hejet e shiut, pikëzimet e diellit e prapë këtu kam mbetur në shtëpinë e dheut rrënjështrirë, ku çdo ditë pres i përmallshëm të vijnë nga larg cicërimat e zogjve të mirë.
RRUGËT
Qyteti është i zbrazët, kur ti ke ikur larg e ku s’je më, kanë mbetur vetëm rrugët ku hapëruan këmbët e tua të lehta e sytë që i mbaje poshtë, si të kërkoje unazën e humbur të dashurisë. Tash në qoshkun e vetmisë së madhe dëgjoj pëshpërimat e blireve.
Askush s’është fajtor në këtë botë. Shihi, sa paralele e meridiame, sa shtigje e rrugë ka që të joshin e të ftojnë! Shihi sa ka!
28 Dhjetor 2008