E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT-ja e Tiranës miratoi projektin për ish-Fushën e Aviacionit



Emanuela Sako

Ish - Fusha e Aviacionit do të kthehet në një park që do t’u shërbejë banorëve të lagjeve përreth. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi projektin për transformimin e kësaj zone në një vend të vlefshëm për komunitetin. Pika e parë e rendit të ditës kishte të bënte me kërkesën për miratim të Planit Rregullues, i cili tashmë ka kaluar në një fazë publikimi në sheshin qendror të kryeqytetit dhe që vizitohet çdo ditë nga mijëra qytetarë të Tiranës.
Ndërkohë, pika e dytë e rendit të ditës konsistoi në prezantimin dhe miratimin e projektit teknik për Parkun Urban të ndodhur në zonën e ish-Fushës së Aviacionit. Ish-Fusha e Aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nga një zonë pa ndërtime, gropa, plehra dhe tym, do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj.
Fusha
Kryebashkiaku Edi Rama ka zbuluar detajet e projektit për ndryshimin e fushës dhe funksionin që do të marrë ajo. Bëhet fjalë për një park që sjell një sasi të konsiderueshme metrash katrorë gjelbërim në kryeqytet dhe që do të përmbajë një sërë hapësirash për të gjitha moshat dhe një sërë karakteristikash të reja që nuk i ka aktualisht. Pjesë e këtij projekti do të jenë kënde lojërash, mbjellja e disa pemëve dekorative, ambiente çlodhëse për të moshuarit etj. Sipas projektit, do të ndërtohen fushat e lojërave me dorë, pistat e vrapimit, këndet e lojërave për fëmijët. Njëkohësisht do të ketë dhe hapësira për kalimin e këmbësorëve me rrugica apo trotuare. “Besoj se kjo është një ndërhyrje që ka miratimin unanim të banorëve të zonës, por edhe të kryeqytetit. Bëhet fjalë për një njollë të gjelbër në hartën e Tiranës, prej rreth 1 km të gjatë, që është një bulevard i ri i gjelbër për kryeqytetin”, - u shpreh Rama. Kryeqytetit do t’i shtohet 1 kilometër vijë e gjelbër, e cila do të marrë pamjet tipike të një bulevardi të madh.
Projektet
Bashkia ka hartuar një sërë projektesh, të cilat prekin zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshi dhe periferitë. Qendra e Tiranës do të jetë pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila do të ruajë elementet e saj tradicionalë, por do të pësojë disa ndryshime përsa i përket qarkullimit të kontrolluar të makinave. Në këtë zonë, lëvizja e automjeteve do të minimizohet dhe do të kthehet në një zonë për kalimin e këmbësorëve dhe lëvizjes me biçikleta. Kjo qendër, si në të gjitha vendet e Europës, do të ketë mundësinë e krijimit të një korpusi universitar. Pjesë e rëndësishme e projektit është kthimi i Lumit të Lanës në një park me pemë dhe gjelbërim më të madh se ai aktual. Ndërsa përsa i përket pjesës së Kamzës do të bëhet një punë voluminoze për shkak të mjaft ndërtesave pa leje të ndërtuara në çdo cep të kësaj pjese të Tiranës. Mjaft ndërtesa do të prishen dhe do të ndërtohen të tjera, të cilat do të kenë një standard të caktuar në bazë të projektit. Kjo zonë do të ketë disa qendra tregtare dhe rrugë apo rrugica të detajuara në bazë të planifikimit urban që do të bëhet nga projekti për zonën. Pjesë e kësaj strategjie do të jetë edhe pjesa e Bregut të Lumit, që tani është kthyer në një “karantinë” banesash të vogla, që strehojnë të pastrehët e kryeqytetit. Pjesë e ndryshimeve do të jenë dhe zona të tjera që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›