Varfëria s’është meritë, foli poeti…
H U M O R
Në shkolla e jo në burgje
- Si të quajnë? - pyet At Zef Pllumin një oficer i lartë, i cili me ca të tjerë po inspektonin kampin e të burgosurve të Ballshit.
Kur ia tha emrin e pa që At Zefi vullnetarisht po restauronte librat e vjetër dhe lidhte të rinjtë, që hynin në bibliotekën e kampit, e pyet rishtas:
- Ç'farë profesioni ke?
- Prift.
- Ishe dikur, por tash nuk ka ma kisha.
- Pse s'ka kisha nuk don të thotë se s'ka fe, - i thotë At Zefi.
- Prapë beson? Nuk paske xanë mend!
- Mendtë merren në shkolla e jo në burgje; në burg të hikin mendtë edhe n'i paç pasë, - tha At Zef Pllumi.
- Kaq vite burg e nuk zure mend, o i gjorë! – përsëriti tjetri.
- Zoti komandant, bota për mend hapë shkolla e universitete: ato japin mend, ndërsa burgjet t'i nxjerrin…
Kuvendojnë gratë e profesionistëve
Disa gra, duke pirë kafenë e parë të mëngjesit në klubin e institucionit ku punonin, bisedojnë për problemin e shtëpive të tyre:
- Ti Fatbardha do ta kesh shtëpinë më të mirë nga të gjitha ne, se e ke burrin usta të vjetër dhe, ku vë dorë ai, i qëndis shtëpitë e botës…
- Mos ma hapni këtë muhabet! - e ndërpret Fatbardha, duke reaguar me nervozizëm. - Si i thonë fjalës, me usta të flesh, po usta të mos kesh! Ai, moj motër, vërtet qëndis shtëpitë e të tjerëve, por kurrë nuk bëhet mbarë të vërë dorë në të tijën.
Ndërkohë, hidhet një tjetër:
- Qënka si ai vargjexhiu im, që shkruan poezi për gratë e botës dhe për mua të shkretën nuk i bie ndërmend të shkruajë qoftë edhe një varg të vetëm…
Pleqëri me edukatën seksuale
Gjatë një takimi me studentë të kryeqytetit, një profesori të njohur të pedagogjisë shqiptare, shtatëdhjetë vjeç e kusur, një studente i bëri pyetjen:
- Profesor, si shpjegohet që ju, në këtë moshë të thyer, merreni ende me edukatë seksuale?
Profesori nënqeshi, u mendua një hop dhe iu përgjegj:
- Ç't'i bësh, moj vajzë e mbarë, ky paskësh qenë fati im: në rini me jetë aktive seksuale, ndërsa tani në pleqëri me edukatën seksuale…
Lypësi dhe aktori
Një lypës, aty rreth dy-trembëdhjetë vjeç, kishte zënë vend për të lypur diku në afërsi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një ditë, i kalon përbri një aktor i njohur.
- Më fal diçka, zotni, të dhashtë zoti shëndet! U bëfsh njëqind vjeç.
Aktori ndali, pasi i bëri përshtypje urimi i lypësit. I erdhi keq për të. Kur sa desh t'i thoshte se "unë jam variant i joti", djaloshi u tregua më i shkathët:
- Unë të njoh ty, - ia bëri, duke nxjerrë jashtë dhëmbët e bardhë. -Të kam parë në shtëpi në videon time. Unë e di që ke sot datëlindjen, e dëgjova në mëngjes te televizori. Ani, mos më jep gjë. U bëfsh njëqind vjeç!
E thirrën në zyrë…
E thirrën në zyrën e kuadrit të Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri" poetin e shquar dhe dijetarin Lasgush Poradeci, për t'i plotësuar karakteristikën. Shefja e kuadrit, duke e pandehur si ndihmë të madhe që po i jepte profesorit, i tha:
- Po ta shkruajmë se je shtresë e varfër!
E Lasgushi ia priti:
- Me qenë i varfër nuk është turp, por as edhe meritë sa të të shkruhet në biografi!
Nga Guri Madhi e deri te Mali Pleshti
Në përurimin e një ekspozite të piktorit të talentuar Pashk Përvathi, në kryeqytet, piktori Kujtim Buza, mik i krijuesve lezhianë, duke kujtuar "të kaluarën", domethënë kohën para viteve '90, tregoi: "Si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë po raportoja për zhvillimin e letërsisë dhe arteve. Po me artet figurative, me artet figurative si jemi?, këmbëngulte një nga drejtuesit e mbledhjes. E pashë ku e kishte hallin dhe iu përgjigja: Edhe me artet figurative jemi mirë. Dhe vërtet po punohet mirë nga i gjithë komuniteti i artistëve figurativë, që nga Guri Madhi e deri te piktori më i ri Mali Pleshti…”. Mali në atë kohë punonte në Lezhë, shtoi K.Buza.
Pesha e burrit
Një rapsodi e këngëtari të njohur të isopolifonisë, shumë të shëndoshë, kur ishte në një turne në Stamboll, iu mbush mendja të peshohej në rrugë të madhe. Në grupin artistik të tij ishte e shoqja, edhe ajo këngëtare. Në kohën kur burri po peshohej, ajo po psoniste diku aty afër. Rapsodi hipi në peshoren mbi trotuar dhe peshorja tregoi plot …119 kg.
- Jam më shumë! - iu ankua rapsodi peshormatësit.
- E po, peshorja ime peshon vetëm deri në 120 kg! S'kam çfarë të bëj, shko e peshohu tjetërkund.
Për ta ngacmuar gruan e rapsodit, e cila ndërkohë u bashkua me grupin, dikush i tha:
- Sa të është dobësuar yt shoq në Turqi. Nga 137 kg ka rënë në 119. Ja, shihe vetë peshoren!
- I marrshi të keqen, plot 137 kg është! - tha gruaja, pa i hedhur fare sytë nga peshorja, duke ia përkëdhelur barkun të shoqit.
- E di ti apo peshorja?
- Pa hë, si thoni, e dini ju më mirë apo unë, që e kam peshuar mbrëmë dy-tri herë? - ua ktheu “burrnesha”.
Lufta kundër kuleçëve…
Një mësues tiranas ishte transferuar në Rubik të Mirditës. Ngre më këmbë një nxënes dhe i drejtohet:
- Na fol për mësimin e ditës! - i thotë i bezdisur.
- Partia dhe shoku Enver i ka kushtuar një vëmendje të madhe luftës kundër kuleçëve… - nis nxënësi si të recitonte një vjershë.
Klasa ia plas gazit.
- Çfarë thua, mor? - ia bëri mësuesi.
Nxënësi përsëdyti edhe njëherë frazën e mësipërme.
- Ç'janë këta kuleçë që na i shpike?
- Kulakët! - ia bën nxënësi, duke parë me inat nga shokët e shoqet e klasës, të cilët s'e mbanin më të qeshurën.
- Po pse iu thua kuleçë dhe jo kulakë? Domethënë nga nisesh?
- Kështu bëhet shumësi, shoku mësues. Nuk themi ne një plak, ca pleqë? Ja pra, një kulak a nuk bën ca kuleçë?!
Mblodhi: Besnik Shkreli
28 Dhjetor 2008