STAMBOLL – AA organizon konferencën mbi sfidat etike të IA në media

STAMBOLL, 4 shtator /ATSH-AA/ – Agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency, e cila mban presidencën e radhës të Shoqatës së Agjencive Ballkanike të lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) për vitin 2024, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, zhvilloi sot konferencën mbi formësimin e marrëdhënieve midis inteligjencës artificiale (IA) dhe medias si edhe sfidën etike të IA me të.
Konferenca do të pasohet nga mbledhja e 32-të e Asamblesë së Përgjithshme, që do të zhvillohet nesër.
Në konferencën me temë “Navigating AI and Media” ishin të pranishëm ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacir, presidenti dhe CEO i AA-së Serdar Karagoz, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Valbona Zhupa, drejtoresha e Lajmeve dhe Multimedias, Almarina Gegvataj, presidenti i KosovaPress, Skënder Krasniqi, zëvendësdrejtoresha e agjencisë rumune të lajmeve (AGERPRES), Cristina Mihaela Tatu.
Ishte gjithashtu edhe sekretari i përgjithshëm i ABNA-SE, njëkohësisht drejtori i përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Kiril Valchev.
Ishin gjithashtu drejtori i agjencisë greke të lajmeve (AMNA) Aimilios Perdikaris, përfaqësues të agjencisë italiane të lajmeve (ANSA), Rodolfo Cardarelli dhe Diletta Sarzi Amade, drejtori i përgjithshëm i BTA-së si edhe përfaqësues të tjerë nga agjencitë ballkanike të lajmeve si FENA, HINA dhe MIA.
Në fjalimin e tij Karagoz theksoi kompleksitetin etik të paraqitur nga inteligjenca artificiale në media duke i përshkruar mediat si “kujtesa kolektive e njerëzimit” dhe theksoi rolin transformues që luan IA në riformësimin e gazetarisë.
Ai vuri në dukje se IA nuk është vetëm një përparim teknologjik, por “një sfidë e thellë intelektuale”, duke i kërkuar industrisë të reflektojë nëse makinat mund të kuptojnë vërtet përvojën njerëzore dhe vlerat etike.
Ai gjithashtu theksoi algoritmin e prerjes së X (Twitter), i cili shfaqte paragjykime racore duke përzgjedhur në mënyrë disproporcionale fytyrat e bardha.
“Ky shembull na tregon se inteligjenca artificiale mund të mos përputhet gjithmonë me parimin e paanshmërisë”, tha Karagoz.
Duke diskutuar implikimet e AI në raportimin e konflikteve, Karagoz ngriti shqetësime për besueshmërinë e IA, duke përmendur konfliktin izraelito-Gaza.
Kiril Valchev, sekretari i përgjithshëm i ABNA-SE, tha se, ndërsa IA mund të përmirësojë operacionet mediatike, ajo nuk mund të zëvendësojë kreativitetin dhe emocionet njerëzore.
“Unë nuk mund ta imagjinoj një vend në botë ku IA do të zëvendësojë krijimin natyror të Zotit, njerëzit”, tha ai.
”Një organizatë si ABNA-ja nuk do të bëhet kurrë një kompjuter i madh në të cilin algoritmet do të marrin vendime për të ardhmen tonë të përbashkët, Ballkanit”, theksoi Valchev.
Konferenca shërbeu si një platformë thelbësore për bashkëpunimin ndërkombëtar për të adresuar sfidat etike dhe operacionale në kryqëzimin mes IA dhe medias./ a.jor.