E Enjte, 5 Nëntor 2026

STRASBURG – BE dënon udhëtimin e Orban në Rusi

STRASBURG, 17 korrik /ATSH-DPA/- Parlamenti Evropian votoi sot në një rezolutë për të dënuar takimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin.

“Me 495 vota pro, 137 kundër dhe 47 abstenime, ligjvënësit e BE-së thanë se veprimet e Orbanit përbënin një shkelje e hapur e traktateve të BE-së dhe politikës së jashtme të përbashkët”, sipas një njoftimi për shtyp.

Orban udhëtoi në Moskë disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e rradhës të BE-së – në fillim të korrikut, duke thënë se qëllimi i vizitës së tij lidhej me një “mision paqeje”.

Udhëheqësit e zemëruar të BE-së dënuan ashpër vizitën e tij dhe theksuan se Orban nuk kishte një mandat të BE-së për asnjë negociatë.

Kryeministri hungarez ndërmori gjithashtu vizita për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentin kinez Xi Jinping dhe kandidatin republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, duke nxitur një zemërim të madh në Bruksel.

Ligjvënësit e BE-së të mbledhur në qytetin francez të Strasburgut kërkuan përmes rezolutës që Hungaria të përballet me pasojat për udhëtimet e Orbanit jashtë vendit.

Rezoluta dënoi gjithashtu sulmin me raketa të Rusisë në spitalin e fëmijëve Ohmatdyt në Kiev dhe rikonfirmoi mbështetjen për përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Ukrainën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›