SV Ried: “Nuk e shesim Salihin” Sulmuesi shqiptar ka fituar zemrat e tifozerisë së qytetit të vogël. Ried, nga ana e tij, dëshiron ta mbajë me çdo kusht, për më tepër që Salihi ka një kontratë deri në vitin 2010.

Hamdi Salihi është një nga “copat e çmuara të mozaikut” të SV Ried dhe këtë e pranojnë drejtuesit më të lartë të skuadrës austriake, që shpreson ende për një vend në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.
Të dielën, në kampionatin austriak do të luhet “finalja” Shturm-Ried, për biletën e fundit në Europë, një takim që duhet fituar nga SV Ried me të paktën tre gola diferencë.
Takimi ka një shije të veçantë për sulmuesin shqiptar, pasi shkodrani 25-vjeçar është kërkuar së fundi nga skuadra kundërshtare e tij, Shturm i Gracit.
Reagimi i menaxherit të SV Ried, Stefan Rajter, ishte i ashpër përmes njërës prej gazetave më të mëdha austriake, “Kurier”, duke përgënjeshtruar fuqishëm një transferim të mundshëm të golashënuesit më të mirë të skuadrës së tij në këtë sezon, 13 gola në 27 ndeshje.
Rajter u shpreh shumë qartë e prerë në lidhje me thashethemet e krijuara: “Spekulimet për transferimin e Salihit janë prej kohësh të pranishme në çdo kohë merkatoje. Tashmë, kjo nuk më vendos aspak në mendime e të shqetësohem. Deri tani ka pasur vetëm oferta të hapura nga jashtë. Interesimi i fuqishëm nga Shturm Graci është i panjohur për mua, nuk ekziston gjithashtu asnjë kontakt”.
Në fakt, sipas drejtorit sportiv të Shturmit, Oliver Krojcer, në ditët e ardhshme ata do të prezantonin një sulmues të ri, i cili nuk “ishte austriak”, duke lënë të nënkuptohej se ky ishte Hamdi Salihi.
Sulmuesi shqiptar ka fituar zemrat e tifozerisë së qytetit të vogël. Ried, nga ana e tij, dëshiron ta mbajë me çdo kusht “den Albaner” (shqiptarin), për më tepër që Salihi ka një kontratë deri në vitin 2010.
“Ne e dimë, që se çfarë Hamdiu kemi, dhe nuk dëshirojmë kurrsesi ta shesim. Ai është një tip, që ndihet shumë i kënaqur këtu te ne dhe, që për më tepër dëshiron të qëndrojë për një kohë të gjatë me ne”.
Salihi është një nga lojtarët e rëndësishëm të Ried, dhe për ta blerë një skuadër tjetër, duhet të paguajë një shumë goxha të madhe për kartonin e tij.
E Enjte, 28 Maj 2009