E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa kushton një film për "Oskar"

"Oskari" është çmimi kinematografik më i madh dhe më i ëndërruar në botë. Ky çmim, që jepet prej 80 vjetësh nga 6 mijë votues të Akademisë së Artit dhe Shkencës, mes konsensuseve e polemikave, shpërblen aktorët dhe regjisorët, por edhe këtë industri të fuqishme planetare. Çdo vit, në pritje të natës së madhe të yjeve (që do të zhvillohet më 22 shkurt) shtrohet pyetja: "Oskari" shërben për të tërhequr publikun, apo filmat që fitojnë "Oskar" janë më të pëlqyer nga publiku?

Përgjigjja nuk është shumë e qartë: "Oskari" ndihmon, por deri në një pikë të caktuar dhe jo gjithmonë. Mjafton të shohësh shifrat e këtij viti. Para shpalljes së kandidaturave për "Oskar" (më 22 janar të 2009-ës), të ardhurat amerikane për filmin "The curious case of Benjamin Button", ku protagonist është Bred Pitt ishin 104 milionë dollarë, për "Frost/Nixon" 8.8 milionë dollarë, për "Milk" 20.6 milionë dollarë, për "The Rider" 7.9 milionë dollarë dhe 44.2 milionë dollarë për "The Millionaire" (në janar mori "Globin e Artë" si filmi më i mirë dhe është kandidat për 10 "Oskar"). Një javë pas shpalljes së kandidaturave si filmi më i mirë, numri i shikuesve dhe të ardhurat u rritën ndjeshëm. "The curious case of Benjamin Button" pati një rritje prej 9.1%, duke arritur në 111 milionë dollarë; "Frost/Nixon" u rrit me 3.5%, duke arritur në 12 milionë dollarë; "Milk" 13.6%, 21.6 milionë dollarë; "The Millionaire" pati një rritje prej 83%, duke arritur në 56 milionë dollarë. Vetëm filmit "The reader" (nuk i pëlqeu asnjë kritiku, por mori çmim si filmi më i mirë dhe Kate Winslet si aktorja më e mirë) i është ulur shikueshmëria, ndërsa të ardhurat janë rritur me 9.2%, baras me 9.6 milionë dollarë. Studiot e ndryshme dhe distributorët janë të gatshëm të bëjnë fushata promocionale shumë të shtrenjta gjatë stinës së "Oskarit" për të rritur medoemos të ardhurat në periudhën mes "Globit të Artë" dhe "Oskarit", duke shfrytëzuar në maksimum reklamat. Në fakt, nuk janë vetëm reklamat ato që ngrenë prestigjin e një filmi. Ka edhe elemente të tjera. "Oskari" mund të ketë një ndikim minimal te një film prestigjioz, protagonistë të së cilës janë aktorët e mëdhenj, që kanë pushtuar tregun, por mund të ketë efekt maksimal te prodhimet e lira (filmat jo shumë të shtrenjtë), te të cilat pjesëtarët e Akademisë (5810 persona që votojnë për dhënien e çmimit "Oskar") ndonjëherë "dashurohen" marrëzisht, ashtu siç ndodhi kohët e fundit me dy filmat "Crash" dhe "No country for old men". Vitin e kaluar të ardhurat e filmit "There will be blood" me protagonist aktorin Daniel-Day Lewis, ishin 20 milionë dollarë, gjatë periudhës së shpalljes së kandidaturave dhe ceremonisë së "Oskarit". Më 2006-ën, kandidatura për "Oskar" i dha një impuls të ri filmit "Munich" të regjisorit Spielberg, të ardhurat e të cilit ishin 40 milionë dollarë.

Në vitin 1997, filmi "Titanic" fitoi 11 çmime "Oskar", por kjo nuk i rriti as një për qind të ardhurat, edhe pse para ceremonisë së "Oskarit" kryevepra e regjisorit James Cameron kishte fituar 500 milionë dollarë (vetëm në Amerikë).

Nuk ekziston një shkencë ekzakte e kinemasë dhe shifrat variojnë. Filmi i tmerrshëm i Clint Eastwood mbi Luftën e Dytë Botërore "Letters from Iwo Jima" fitoi në 2006-ën vetëm 1.9 milionë dollarë, pas kandidaturës për "Oskar". "The Millionaire" është shembulli tipik i filmit që u bë i famshëm falë "Globit të Artë" dhe kandidaturave për "Oskar". Krejt rastësisht "The Millionaire" u bë shumë i kërkuar dhe filmi që dëshironin të shihnin të gjithë.

Gjithashtu, një rëndësi të veçantë kanë edhe paratë që producentët dhe shoqëritë e shpërndarjes janë të gatshëm të harxhojnë për të bërë një fushatë prej "Oskari". Studio si "Warner", "Paramount", "Sony", ose "Disney" shpenzojnë zakonisht nga 20 deri në 30 milionë dollarë për ta bërë më të bukur filmin, ose për të stimuluar protagonistët. Këtë vit, me krizën ekonomike në vazhdim, të gjithë po e shtrëngojnë paksa dorën, duke ulur në maksimum shpenzimet për reklamat në televizor, transfertat promocionale të aktorëve, regjisorëve e producentëve. Nuk ka dyshim që këtë vit studiot po shpenzojnë më pak për ceremoninë e "Oskarit", sepse mendojnë se nuk ia vlen, por se kriza në vazhdim i ka dobësuar dhe varfëruar kasafortat e Hollivudit. Spektakli do të vazhdojë, por do të shpenzohet më pak.

Por si mund të arrihet deri te kandidatura, ose statuja e ëndërruar? Mos vallë ndikojnë fushatat publicitare dhe marketingu? Të mos harrojmë se një faqe e plotë te "Variety" kushton 72 mijë dollarë. Në këtë pikë ndërhyjnë profesionistët. Në vitin 1998, kur regjisori i famshëm Spielberg ishte i bindur se do të merrte statujën e artë për filmin "Saving Private Ryan", një zonjë e moshuar, veterane e fushatave publicitare për "Oskar", i premtoi producentit të pavarur Harvey Weinstein se filmi i tij romantik "Shakespeare in love" do të fitonte patjetër. Ajo u telefonoi më shumë se 200 pjesëtarëve të Akademisë. Dihet se anëtarët e Akademisë ndikohen nga gratë dhe sekretaret e tyre. Zonjat pëlqenin më shumë komedinë romantike të John Madden sesa filmin e dhunshëm të Spielberg. Kjo ishte ngjarja shokuese e dhjetëvjeçarit, por funksionoi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›