E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi, vatra e nxehtë e shkeljeve arkeologjike

Durrësi vazhdon të mbetet pika më e "nxehtë" e shkeljeve dhe dëmeve arkeologjike. Ndërtimet e reja mbeten rreziku më i prekshëm për pasurinë nëntokësore të këtij qyteti. Edhe pse intensiteti nuk është më ai i viteve të pas ‘90-ës, rastet kur veprohet kundër ligjit "Për trashëgiminë kulturore" nuk mungojnë as në ditët e sotme. Edhe në kushtet kur pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është ngritur një strukturë e specializuar, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Këtë gjë e ka pranuar edhe drejtori i ASHA-s, Roland Olli. Gjatë një seminari shkencor, i organizuar në Tiranë në bashkëpunim me institucionin homolog francez INRAP, Olli shprehet se puna e institucionit që drejton ka filluar të ndjehet në terren. Sipas tij, specialistët dhe arkeologët e kësaj strukture të re veprojnë sipas parimit për të parandaluar dëmtimet, para se ato të ndodhin. Ose në rastin kur ndërhyrjet janë kryer tashmë, janë marrë masa ligjore. Si rast konkret, Olli ka përmendur Durrësin. "Nëse flasim për raste konkrete të shpëtimit të pasurisë arkeologjike nga ASHA, do të përmendja Durrësin. Ai është një nga qytetet që të gjithë e dinë se ka një potencial të madh arkeologjik, sa shpesh në gjuhën popullore e thonë, në çdo vend që të gërmosh, do të gjesh rrënoja apo mbetje arkeologjike. Në të gjitha rastet kur ndërtimet kanë filluar pas krijimit të ASHA-s, nga ekipi i arkeologëve të agjencisë është udhëhequr gërmimi deri në momentin kur është arritur kuota përfundimtare e themeleve. Më pas, janë bërë të gjitha evidentimet e gjetjeve, inventarizimi i tyre, pastrimi dhe objektet janë dërguar pranë muzeve arkeologjikë përkatës, konkretisht në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Pas këtyre procedurave, është hartuar raporti përfundimtar mbi gjithë zhvillimin e gërmimit arkeologjik. Vetëm atëherë i është dhënë leja kompanisë ndërtuese për të vazhduar ndërtimet", thekson Olli. Zhvillimi urban dhe ruajtja e trashëgimisë arkeologjike të Durrësit kanë qenë dy aspekte që shpesh kanë shkaktuar edhe përplasje institucionale. Kujtojmë që ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, u shkarkua nga ministri Pango me motivin e shkeljeve në këtë qytet, e po ashtu edhe ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve. Edhe pse flitet se në zonën B të Durrësit vazhdojnë të jepen leje ndërtimi, Olli thekson se ligji e parashikon këtë nën mbikëqyrjen e specialistëve. Sipas tij, në rast verifikimesh, vendimi përfundimtar për të dhënë ose jo leje, i delegohet Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, strukturë e krijuar në bazë të legjislacionit të përshtatur për trashëgiminë, i cili kryesohet nga ministri Pango. Edhe pse Olli shprehet se ASHA është krijuar për të parandaluar dëmtimet, rastet e shkeljeve nuk kanë munguar. Këto shtrihen përtej Durrësit, në qytete të tjera të njohura për potencial arkeologjik siç është Saranda. "Shkelje ka pasur në disa drejtime. Shkelja më flagrante janë fillimet e ndërtimeve pa leje dhe pa informuar ASHA-n. Një shkelje tjetër e kësaj natyre është kur subjekte të ndryshme ndërtuese zbatojnë punimet në një zonë ku nuk ka pasur informacion për pasuri arkeologjike, por ndeshen objekte arkeologjike për të cilat ligji ‘Për trashëgiminë kulturore‘ e bën të detyrueshme brenda tri ditëve njoftimin e ASHA-s dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Ne kemi pasur një rast të tillë shkeljeje në afërsi të Ksamilit në Sarandë. Gjatë punimeve të ndërtimit për një banesë, në themelet e saj, është zbuluar një varr parahistorik, i cili me gjithë ndërhyrjen që është bërë nën kujdesin e arkeologëve, nuk ka bërë hapin ligjor të nevojshëm, informimin e ASHA-s. Raste të tjera shkeljesh kemi në mosparaqitjen e projekteve në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë. Në këtë rast, parashikohet edhe bllokim i objekteve. Në Durrës, kemi pasur dy raste që kanë nisur që në të shkuarën", thekson Olli. Sipas tij, specialistët ekzistojnë dhe kuadri ligjor po plotësohet në vazhdim. Në fakt, ky është edhe parimi mbi të cilin mbështetet edhe përvoja botërore, përfshirë atë franceze që seminari i organizuar synon të përcjellë. Në fakt, kuadri ligjor nuk ka munguar edhe në vitet kur ndërtimet kanë qenë të shumta. Problemi që shtrohet është masa e zbatimit të tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›