E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sabri Godo lë Sanatoriumin dhe shuhet në shtëpi, sot ditë zie

Shuhet Sabri Godo, Presidenti i republikanëve.

Ndahet nga jeta bashkëhartuesi i Kushtetutës jeta e shkrimtarit nga lufta partizane, botimet te Hosteni dhe themelimi i PR.

Shuhet në moshën 82-vjeçare shkrimtari dhe politikani i njohur Sabri Godo. Pas një sëmundjeje të rëndë ai ka ndërruar jetë mesditën e djeshme në shtëpinë e tij, në katin e tretë të një pallati pranë Ministrisë së Jashtme. Por, me gjithë sëmundjen që e mundonte muajt e fundit, ai ka vazhduar të jetë aktiv në politikë. Pak kohë më parë ai u vu sërish në qendër të mediave kur deklaroi në një intervistë televizive se vitin e ardhshëm Berisha duhet të zgjidhet sërish President dhe Basha të marrë drejtimin e së djathtës. Në këto 20 vite pluralizëm, Sabri Godo i është përkushtuar më shumë politikës, sesa letërsisë, teksa ka mbajtur poste të rëndësishme dhe ka shkruar vetëm një roman.
Partizani Godo
I lindur në Delvinë, në vitin 1929, Sabri Godo nuk mbeti jashtë Luftës së Dytë Botërore. Shkollën fillore e mbaroi në Delvinë, ndërsa për të ndjekur mësimet e gjimnazit u transferua në Tiranë. Në kryeqytet bëri vetëm dy vite e gjysmë shkollë për shkak të luftës. Ai u përfshi në çetat partizane në periudhën korrik 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga ish-Jugosllavia. Në vitin 1948 përjashtohet nga ushtria si element i padëshiruar për shkak të bindjeve dhe të rrethanave familjare, pasi daja i tij, Selaudin Toto, ishte pushkatuar me grupin e deputetëve, ndërsa kunati i Godos ishte i arratisur politik. Gjatë kohës së regjimit komunist, Sabri Godo u përqendrua veçanërisht në letërsi. Në vitin 1966 botoi veprën e tij të parë, një roman historik, Plaku i Butkës. Katër vjet më vonë nxori romanin Ali Pashë Tepelena, që u ribotua edhe dy herë të tjera. Nga viti 1972 deri në vitin 1990 ai botoi edhe shtatë vepra të tjera, tregimet me titull Zëra nga burime të nxehta, tregimin Intendenti, romanet Skënderbeu, Prova e zjarrit, Ujërat e qeta, Koha e njeriut, si dhe reportazhin me titull Kohët që shkojnë, kohët që vijnë. Ka pasur gjithashtu veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën Hosteni, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.
Politikani Godo
Me rënien e regjimit komunist dhe lejimin e pluralizmit politik, shkrimtari Sabri Godo u angazhua shumë edhe në politikë. Në janar të vitit 1991 u krijua Partia Republikane, e dyta forcë politike pas Partisë Demokratike, të krijuar në fillim të muajit dhjetor të vitit 1990. PR kishte për kryetar pikërisht Sabri Godon. Këtë pozicion ai e mbajti për shtatë vjet, gjersa në vitin 1998 ia la Fatmir Mediut, të cilin deri në këtë periudhë e kishte vartësin e tij, si kryetar të degës së Fierit. Plaku i urtë Sabri Godo ka qenë gjithashtu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura. Fillimisht ai e fitoi mandatin në zgjedhjet e vitit 1996, kur në atë Parlament jetëshkurtër mbajti edhe postin e kryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Kryetari i republikanëve mori një tjetër mandat deputeti në periudhën 1997-2001 dhe mbante paralelisht edhe postin e kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme. Në vitin 1998 Godo ishte një prej hartuesve të tekstit të Kushtetutës së Shqipërisë. Pasi la postin e kryetarit të Partisë Republikane, ai qëndroi në këtë parti si kryetar i Asamblesë dhe President Nderi i saj. Gjatë gjithë periudhës aktive në politikë, Sabri Godo i ka kushtuar një vëmendje të madhe edhe çështjes shqiptare. Ai ka reaguar disa herë publikisht dhe ka kritikuar qëndrimin e Tiranës zyrtare sa u përket provokimeve të qarqeve greke për autonominë e minoritetit apo çështjes së pronave të popullsisë çame. Sipas tij, klasa politike shqiptare nuk mund të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë me popullsinë çame, duke u hequr në pamje të parë sikur po merret me këtë çështje e ka predispozitën për ta zgjidhur dhe, nga ana tjetër, nuk po merret aspak për zgjidhjen e saj. Presidenti i Nderit i republikanëve ka dalë kundër qëndrimit të PD-së dhe i ka cilësuar ngjarjet e 1997-s si rebelim komunist, teksa i ka kërkuar qeverisë shqiptare disa herë të insistojë që Greqia të heqë Ligjin e Luftës mes dy vendeve. Në muajt e fundit ai u shfaq pak herë në media për shkak të sëmundjes që kishte. Gjatë zgjedhjeve lokale Godo u pozicionua në krahun e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, për të cilin tha se është pasardhësi i Sali Berishës në këtë parti.

Semundja: Dy ditët e fundit, më të vështirat. Mbahej në jetë me qetësues
Mjekët: Godo la Sanatoriumin me dëshirën e tij
Dy javët e qëndrimit në spital. Vuante nga një tumor pulmonar
Ka lënë Sanatoriumin të enjten në darkë, ku ishte shtruar për gati dy javë. Sipas mjekëve, kërkesa u bë nga familjarët me miratimin e politikanit të njohur. Ishin familjarët të cilët e panë të panevojshëm vazhdimin e qëndrimit në spital. Njëra nga vajzat e tij është vetë mjeke dhe duke parë parametrat e sëmundjes, gjendja ishte rënduar së tepërmi dhe ishte e pakthyeshme pas, thanë burime të sigurta nga stafi i mjekëve. Sabri Godo ka mundur të qëndrojë vetëm një ditë në shtëpi, pa arritur ti mbijetojë sëmundjes. Sipas mjekëve dhe familjarëve, gjendja shëndetësore e tij ditën e premte është keqësuar së tepërmi. Është mbajtur me qetësues gjatë gjithë ditës, ndërsa të shtunën paradite ka kaluar për pak orë në koma. Ka qenë rëndë gjithë ditët e fundit, por e premtja dhe e shtuna paradite ishin ditët më të vështira. Me rëndimin e shëndetit arriti të kalojë për pak kohë në koma dhe pastaj humbi jetën. Kjo ishte pjesa më e vështirë për ne. Ai gjatë gjithë kohës ka qenë i fortë dhe e ka përballuar me kurajë sëmundjen, thanë familjarët.
Politikani Sabri Godo vuante nga një tumor malinj në mushkëri, i diagnostikuar rreth një vit më parë. Për këtë sëmundje, nga sa kanë konfirmuar familjarët, ai është trajtuar për disa muaj edhe në Itali. Më 21 nëntor Sabri Godo u shtrua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga sa pohuan mjekët, fill pas shtrimit i është bërë hapja e mushkërisë për ta zvogëluar, duke i hequr likuidin e tepërt. Kishte ujë në mushkëri dhe ndërhyrja u krye me sukses. Likidi pleural (ujë në mushkëri) bën që uji në mushkëri tubohet (mblidhet ose derdhet) në alveola (brenda në mushkëri) dhe kjo ndodh në 90% të rasteve si pasojë e ngarkesës së zemrës që ndërlidhet me tumoret primare pulmonare apo sekondare-metastaza nga organet e tjera. Por gjendja është e rëndë dhe rreziku për jetën është gjithmonë prezent në rastin e tumoreve malinje, u shprehën mjekët pas ndërhyrjes.
Për disa ditë ai qëndroi në terapi intensive dhe u  intubua me oksigjen për shkak të problemeve në frymëmarrje. Më 25 nëntor mjekët e panë të arsyeshme që 82-vjeçari të linte reanimacionin dhe të transferohej në pavijon. Parametrat shëndetësorë na lejuan që ta nxirrnim nga reanimacioni. Po trajtohet me qetësues, u shprehën mjekët pas transferimit në pavijon. Sipas tyre, ai ka qene koshient dhe ka komunikuar normalisht. Gjatë gjithë kohës pranë 82-vjeçarit kanë qëndruar dy vajzat e tij dhe familjarë të tjerë. Babai është i fortë dhe nuk i trembet sëmundjes. Ka një tumor pulmonar dhe po lufton me sëmundjen ashtu siç di vetëm ai ta bëje. Te koka po i qëndrojnë të gjithë familjarët, është mami  gjatë gjithë kohës në spital, ne të dyja vajzat, nipat, miqtë e shumtë që e telefonojnë gjatë gjithë. Padyshim janë dhe mjekët të cilët dua ti falenderoj për kujdesin që po tregojnë ndaj babit tim, është shprehur e bija Anila Godo.

Punoi në uzinë për 10 vjet
Gjatë regjimit komunist Sabri Godo ka qenë shkrimtar në profesion të lirë për një vit, por u përjashtua me akuzën se nuk i ishte përmbajtur linjës së realizmit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›