E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohen homazhet për nder të Sabri Godos

Në hollin e sallës së parlamentit po zhvillohen homazhet për nder të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare pas një sëmundje të rëndë në mushkri.

Zoti Godo ishte shtruar pak ditë më parë me urgjencë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi” por pas trajtimit në terapi intensive ai ka marrë mjekime në pavion, ndërsa vetëm pak ditë më parë ka lënë spitalin.
 

I pari që ka zhvilluar homazhet është kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i cili la edhe një shënim në librin e ngushëllimeve.
 

Ndërkohë ditën e djeshme, shumë miq, kolegë, politikanë e personalitete kanë ngushëlluar familjen e politikanit Godo.
 

Politikani, skenaristi dhe shkrimtari Sabri Godo ka mbajtur postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991. Godo e ka drejtuar PR-në për 7 vjet. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›