Sabri Hamiti: Shkrova një variant të shekullit tim letrar
Me të tria ciklet e botimeve studimore “Bioletra”, “Tematologjia” dhe libri i fundit që u prezantua dje, “Albanizma”, studiuesi, kritiku dhe poeti Sabri Hamiti ka bërë hartën e letërsisë shqiptare në katër shekuj. Kjo është konfirmuar nga kritikë, shkrimtarë e studiues duke pohuar se sprova poetike e Hamitit shënon edhe hapin e parë drejt rishikimit të historisë së letërsisë shqiptare, sistemimin e saj. Ndërsa vetë autori i tri librave, thelbësor për letërsinë, i pranishëm në paraqitjen e botimeve, në sallën e Akademisë së Shkencave, ka thënë se: “Shkrova një variant të shekullit tim letrar”. Duke na u sugjeruar ky projekt i përmbyllur, por dhe i hapur, si proces i papërfunduar. Vepra e Sabri Hamitit përfshin 10 volume, ndërsa “Albanizma” është i treti në serinë e botimeve. Nëse kritiku Mark Marku e ka vlerësuar se vepra e Sabri Hamitit është një dialog i gjatë me letërsinë, duke shkuar drejt thelbit - që për botën shqiptare letërsia paraqitet si projekt nacional, si fillim i kombit shqiptar, që tani është një komb modern dhe ka hyrë në fazën e vetëpjekurisë, studiuesja Dhurata Shehri e shikon veprën “Albanizma” si akt i ngjashëm me neoshqiptarizmin. Janë tekste të përfunduara për t’u analizuar, letërsi që dëshmon se “tani jemi kryer si komb, ku heroi nuk do flijohet më”. Hamiti për këtë studim thotë se ka lexuar dhe interpretuar katër shekuj letërsi poetike dhe se vështrimi që i dhanë studiues e kritikë si Mark Marku, Agron Tufa, Dhurata Shehri dhe Persida Asllani merr domethënie breznie për të, ku secili prej tyre ka konfirmuar dje çfarë e bën të rëndësishme ardhjen në letrat shqipe të këtyre botimeve, duke u ndaluar në shkëputjen e letërsisë nga shtesat ideologjike; se si identiteti fetar kaloi në identitet kulturor; se si shpjegohet sot heroi; si vështrohen autorë tashmë me tekst poetik të përfunduar; a është letërsia monumentale gjendje identitare; kujtesa e gjuhës aty ku nis jeta e pavarur e historisë së letërsisë shqipe, ku trashëgimia lexohet si kod letrar; ku selektohen veprat socrealiste nga ato realiste, dhe hyrja në një diskurs të ri - të mungesës së realizmit në letërsinë shqipe deri në konceptet e letërsisë si mision dhe funksion, kur në pamundësinë e komunikimit është vetëm lexuesi që humb. Ndërsa debati shtrihet tek brezat, duket se “misioni” i studiuesit përcillet me nismën, duke thënë se çdo brez do të ketë nevojë për ta shkruar letërsinë, që në kulturën e sistemimit do të shkruajë variantet. Por, Hamiti na lë ndezur fitilin e mungesës më të madhe në letërsi, përpjekjen për formacionin realist në letërsi, pasi deri tani është abuzuar me letërsinë socrealiste, si etalon shkrimi. Intrigë kërkimi e quan këtë epokë të letërsisë, ndërsa tërheq vëmendjen në fenomenet më të veçanta që ka hasur si bejtexhinjtë dhe françeskanët. Çfarë ka qenë ideale për studiuesin; ikje nga gjeneralizimi fillestar drejt relativizmit të mendimit që do argumentin, prej së cilës duhet lexuar mirë esenca, misteri i së cilës ka të bëjë me variantet, për të cilat Hamiti pohon se ka vetëm lexime të reja. Dhe që letërsia të jetë funksionale studiuesi rebelon se letërsia të mos interpretohet e vlerësohet më si doracak i shkollave, por të jepet me fuqi akademike, si dije.
“Albanizma”, pse i keni dhënë këtë nocion emërtimi botimit tuaj të tretë studimor për historinë e poetikës shqiptare?
“Albanizma” është titull libri, është kapitulli fillestar i këtij libri që në vërtetë ka të bëjë me një nocion që përfshin identitete kulturore dhe letrare shqipe, karakteristika të përsëritshme dhe të përsëritura të kësaj kulture dhe të kësaj letërsie, të cilat duken në shoqëri, në kulturë, në histori dhe reflektohen në letërsi.
Cili ka qenë pretendimi juaj për këtë projekt, që ju e quani një variant të sprovës poetike?
Leximi singular, ose i veçantë, i veprave të veçanta, i autorëve të veçantë është punë e një kritike letrare që e kam bërë gjithë këto vite dhe përherë ka qenë intenca që të shihet e veçanta dhe si do të dukej në një sistematikë të vlerave të letërsisë shqipe. Prandaj ato libra atëherë kanë pasur nëntitullin “Sprova për një poetikë”. Tani në tri librat e fundit, të cilat duhet të lexohen bashkë “Bioletrat”, “Tematologjia” dhe “Albanizma”, në të vërtetë pretendoj se kam arritur në nivelin e sublimimit të karakteristikave themelore të letërsisë shqipe të para si ndërtim dhe si domethënie, pra si poetike. Ende, unë, nuk ja kam vënë emrin formalisht “Poetikë historike e shqipes”, por, në të vërtetë funskionalisht, ky trilibërsh e krijon një variant të asaj që unë e quaj poetikë historike e shqipes.
Si ka qenë trajektorja e sprovave, nga fillimet e deri tani sipas këndvështrimit që ju i bëni historisë së letërsisë?
Unë nuk kam filluar të shkruaj libra duke pasur parasysh një histori letërsie. Kam filluar të lexoj vepra të veçanta si çdo lexues, që të nesërmen bëhet lexues i kultivuar se shkruan për letërsinë. Viti ’68, është mosha 18-vjeçare e imja dhe ka të bëjë me kohën kur hyra në studimet për letërsinë. Që nga atëherë, në mënyrë sistematike kam shkruar për letërsinë, prandaj e shoh kufi, është një farë kufiri të asaj që quhet shekulli im letrar, shekulli im i leximit dhe shkrimit të letërsisë. Gjithë kohën ka qenë një karakteristikë që të lexohet letërsia pa e paragjykuar ideologjinë e saj. Sepse ju e dini se në atë kohë ka qenë e lodhshme, që të hyhet të lexohet letërsia me parashtresën ideologjike, që kanë qenë e fortë. Rebelimi im personal ka qenë; t’i kthehem tekstit, e ta lexoj, duke harruar një përkufizim paraprak të letërsisë. Dhe mendoj se këtë karakteristikë të shkrimit unë nuk e kam lëshuar as sot. Mendoj se do të duhej të kisha një tip identiteti të shkrimit tim. Ky ishte insistimi im, për të folur me konceptet e albanizmave.
A mund të flasim për autorët me të cilët ju jeni marrë, që kanë një botim të plotë, pa folur për autorë që ende nuk janë zbuluar, që vepra është ende në dorëshkrim - jemi tek vështira e paraqitjes së autorëve...!
Vështirësia e paraqitjes publike po mendoni. Unë e kisha fjalën për riparaqitjen publike. Sepse një studiues mund t’i lexojë dhe në arkiva dorëshkrimet, unë kur fola kisha parasysh që në tekst letrar duhet të jetë i kapshëm për të gjithë, i lexueshëm potencialisht, publikisht, në mënyrë që të jetë vlerë që komunikon, sepse është problem të shkruhet për dorëshkrimet që nuk i di kurrkush. Ky është insistimi im, që të gjitha vlerat e letërsisë shqipe që janë shkruar duhet të publikohen, të konkurrojnë në lexim me vlerat që krijohen sot. Vetëm atëherë ne kemi dialogun e vërtetë të pranimit të letërsisë në kohë dhe në hapësirë.
A do të ishte e drejtë, sipas jush, klasifikimi për autorët sipas periudhave kohore, pasi ka tipizime të tilla si shkrimtarë të viteve ’60, ’70 etj?
Ka mënyra të ndryshme të parit të letërsisë në sistemin e saj dhe në kohën e zhvillimit të saj. Unë nuk i preferoj shumë ndarjet me kohë. Unë preferoj që sistematizimet të bëhen në bazë të karakteristikave të letërsisë, prandaj kur të shihni librin unë fenomenet i shikoj në krejt gjatësinë e shkrimit të letërsisë shqipe. Unë letërsinë monumentale nuk e shikoj të një kohe, por të të gjitha kohërave, dhe okazionale, dhe misionare të të gjitha kohërave. Është punë tjetër, që në një kohë është më pak dhe në një tjetër bëhet zotëruese, por fenomeni është universal. Prandaj e kam të vështirë të pranoj që të them se letërsia e kësaj gjysmë shekulli duket në këtë formë, apo e këtyre dhjetë vjetëve ka një tjetër formë. Sepse në distancë kohë bën vaki se, një libër që del sot, rizbulon një traditë shkrimi brenda letërsisë dhe ringjall dhe krijon qerthullin e librave qoftë si teknikë shkrimi, qoftë si strukturë letrare dhe pastaj në fund qoftë dhe si domethënie e filozofi. Prandaj abstenoj ta vlerësoj letërsinë të copëtuar në kohë.
Po si model letrar, a është e vështirë ndarja? Pasi dihet që letërsia jonë asnjëherë nuk ka qenë në rrjedhë dhe në kohë me karakteristikat e letërsive të tjera flitet për raste sporadike të ndikimit të rrymave si p.sh. impresionizmi, romantizmi, simbolizimi apo shikimi që ju i bëni edhe mungesës së letërsisë realiste?
Ato janë përfitimet, konceptet historiko-letrare dhe teorike, ato prodhohen në bazë të studimeve paraprake. Një letërsi nuk është si një letërsi tjetër. Të gjitha letërsitë kanë zhvillimet jo tipike, kanë tipiken e vet. Nëse karakterizimet historike janë universale merren këto dhe grumbullohen të gjitha letërsitë. Tjetër është kur kjo letërsi është e barabartë në rrjedhë dhe në kohë me të tjerat, që kanë ndodhur dhe në letërsinë shqipe. Unë mendoj se romantizmi me De Radën është i barazkahshëm me romantizmin evropian, unë mendoj që poezia e Lasgushit është pak a shumë i barazkohshëm me postsimbolistët evropianë. Po, kjo nganjëherë ndodh nganjëherë s’ndodh. Ju e dini që proza shqipe është e shekullit XX, ju e dini që proza artistike totale, meqë kemi marrë realizmin, ka mbaruar në shekullin XIX. Te ne janë nismat folklorike ose pseudodëshmuese ose anekdodike në prozë, në fillim të shekullit XX, si mundemi ne tani të përdorim tjetër masë dhe të themi: meqë atje është dhe te ne s’është, nuk është në rregull. Jo, letërsitë kanë zhvillime tipike. Mendimi del nga veprat e veçanta të letërsisë së atij vendi, prandaj prodhon koncepte dhe fenomene të veçanta. Kjo është ideja ime.
Cili është sistemi juaj, të cilit i jeni referuar në këtë botim, me të cilën janë konfirmuar idetë tuaja?
Absolutisht kam shumë referenca dhe ajo çfarë ndodh rreth letërsisë është teoria e letërsisë dhe përvoja letrare e shekullit XX, kryesisht prej formalistëve rus, Sosyrit deri te strukturalistët frëng, dhe post-strukturalistëve është pjesa kah unë kam lexuar në kuptimin e teorive. Në kuptimin e letërsisë shqipe unë kam provuar të rimarr, të studioj dhe të mësoj aq sa më duhet të mësoj nga krejt ajo çfarë shkruhet për kritikën letrare shqipe nga Konica e këtej, në kuptimin e ngushtë të kritikës. Ndërsa prej Barletit e këtej në kuptimin e gjerë të rezonimit, dhe shkrimit- për mënyrën e ndërtimit të tekstit të shkruar. Sepse ju keni tekste instruktive për tipin e shkrimit qysh tek Barleti, të mos flasim për Bogdanin me “Cunesus profetarum”, e tutje për De Radën me estetikën e tij. Unë bëj diferencimin e shkrimeve sistematike për letërsinë, që janë në këto të parat, dhe në kritikën letrare në kuptimin modern që vërtetë fillon me Konicën.
Kush ka qenë sipas jush momenti që ka ardhur më fuqishëm letërsia shqiptare, qoftë edhe si lëvizje kulturore, apo grupimi i njerëzve? A kemi pasur një moment kulmor të natyrës letrare?
Po kemi pasur Rilindjen, që njihet. Dhe më pas, nuk mund të them asnjë gjë të re, sepse është provuar që është një lëvizje më shumë kulturore sesa letrare. Është lëvizje edhe kulturore, nacionale dhe letrare. Në kuptimin letrar, letërsia shqipe ka pasur shumë referenca në histori, prandaj nganjëherë duket si shtesë e historisë për fat të keq. Kjo është punë e nacionit, sepse letërsia ka marrë vlerë përdoruese dhe në kuptimin si shtesë e idesë. Njëherë letërsia ka qenë, ju e dini, letërsi filobiblike kryesisht, tani shtesë e idesë nacionale. Këtu përmendim ajo vjen, e shekullit XIX kryesisht si romantike. Dhe e fundit nëpër të cilën ka kaluar letërsia është si shtesë e ideologjisë. Sa herë ka qenë më pak shtesë e ideologjisë, ka qenë më e veçantë, më individuale, më moderne në kuptimin që flitet.
Prandaj kritiku Mark Marku tha se libri juaj është një fazë e kryer e kombit, si fazë e vetëpjekurisë?
Absolutisht ka thënë një të vërtetë. Mark Marku duke lexuar librin tim në të vërtetë (në mënyra të tjera) ka replikuar me idetë e Çabejt në vitet ’39, se do të vijë koha që literatura e Ballkanit, ndër to dhe shqipja, të mos kenë detyra historike dhe politike, po të bëhet letërsi për vetveten. Insistimi im është që letërsia të lexohet si e vetëmjaftueshme për vetveten, se i mjafton njohja që ka brenda, vetënjohja e njeriut. Mjafton për të qenë estetikisht e nevojshme për njeriun, pa pasur shtesa ideologjike dhe kuptoj që Marku tentonte ta lexonte librin në këtë formë dhe është e vërtetë që unë e kërkoj këtë.