Pse janë të realizueshme premtimet e Berishës?
Fjalimi i kryetarit të PD-së dhe njëkohësisht Kryeministrit Berisha në Kuvendin e kësaj partie përmbante shumë premtime të forta ekonomike. Në disa raste premtimet preknin kufijtë e ëndrrës dhe kuptohet që pyetja e natyrshme që lind është: sa të realizueshme janë këto premtime? Njëra prej tyre kishte të bënte me reformën në ndihmën ekonomike. Është një bisturi që vendi e kishte pritur prej kohe, nën rënkimin e njerëzve në nevojë në qytet e fshat, që shihnin që po aq para, në mos më shumë përfitonin të tjerë me biznese apo që ishin farefis e miq të kryetarit të bashkisë apo komunës. Kjo reformë është një skaner i pamëshirshëm i miliona eurove të abuzuara nga ndihma shtetërore. “Nuk ka më qofte ke daja”. Personat realisht në nevojë do të marrin ata dhe vetëm ata. Dhe do të marrin dhe më shumë fonde. Qeveria që jep këto para do të centralizojë dhe shpërndarjen e tyre, duke mos u dhënë mundësi shpërndarësve të deritanishëm vendorë të abuzojnë sipas qejfit, sikurse kanë bërë deri tani. Edhe pse kategoritë në nevojë do të marrin gati 50 për qind më shumë të holla, shtetit do t’i kursehen 7-10 milionë euro në vit nga mosabuzimi. Kryeministri i shpalli luftë me tolerancë zero edhe varfërisë. Janë 12 për qind të shqiptarëve, mbi 360 mijë vetë që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Qeveria me gojën e kreut të saj jep një angazhim solemn se këta qindra-mijëra vetë që jetojnë me dy dollarë në ditë shumë shpejt do të dalin nga kjo zonë mjerane. Një rrugë daljeje është realizimi i premtimit të 160 mijë vendeve të reja të punës në këtë katërvjeçar qeverisës. Nëpërmjet hapjes së vendeve të reja dhe trajnimit të të papunëve për t’u aftësuar, bie një perde e varfërisë. Reformat e përmirësimit të mjedisit të biznesit do t’i mundësojnë atij të zgjerojë kapitalet dhe kësisoj të rrisë kërkesën për vende të reja pune. Ja pse dy ditë më parë po bashkëpunonin Qendra Kombëtare e Regjistrimit të bizneseve dhe Qendra Kombëtare e Licencimit të tyre. Që sipërmarrja të mos humbë kohë pas kërkesave dhe pengesave burokratike shtetërore, por të mendojë për të rritur fitimin, për të zgjeruar aktivitetin e në këtë mënyrë edhe punësimin. Janë të gjitha gjasat për këtë. Sipas vetë gazetës së mirënjohur ekonomike në botë, “Financial Times” (Kohët financiare), kredia në Shqipëri këtë vit u rrit 10 deri në 15 për qind. Kurse inflacioni ngeli 2-3 për qind. Kushte nxitëse këto për biznesin që të rritet. Ndërsa një premtim tjetër që duket ëndërr e bukur, edhe ai ka gjasa të realizohet: çdo familje shqiptare të ketë internet. Investimet kanë nisur. Mjafton të kujtojmë shtrimin e kabllove optike të Albtelekomit. Ose, për më skeptikët, pse të mos kujtojmë premtimin e bujshëm të katër viteve më parë për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi ballkanike të prodhimit të energjisë?! Të paktë ishin ata që besuan këtë kapërcim pindarik nga një vend me kriza të njëpasnjëshme energjetike në një vend të prodhimit e bollëkut energjetik. Sot, pas kontratave miliarda euroshe të energjisë, pas nisjes së punës së TEC-it të Vlorës, premtimi është në hullinë e duhur. Nuk ka pse të mos ia urojmë Shqipërisë edhe lidhjen e plotë të çdo familjeje me internetin. Pse ky mjet kryesor komunikimi i sotëm do t’i mundësojë edhe fëmijës së të papunit apo të fshatarit të ketë akses me ofertat më të mira të punësimit, nëse fëmija ka përvetësuar anglishten dhe kompjuterin. Kështu zhvillohet vendi ynë. Ja përse premtimet berishiane për shumëkënd nga ne nuk ngjajnë më thjesht me ëndrra të bukura, si pesë vite më parë. Shumë premtime të atëhershme u bënë realitet. Dhe shumëkush e beson Berishën kur sot thotë se edhe më shumë do t’i rrisë pagat dhe pensionet, përderisa rritjen e tyre më spektakolare e arriti pikërisht në mes të krizës botërore financiare e ekonomike, gjatë këtij viti. Vendi ynë pikërisht sot më shumë se kurrë ka nevojë për ëndrrën dhe idealin dhe këtë duket po e jep pa kursim Kuvendi i demokratëve, udhëheqësi i tyre. Nuk kemi asnjë arsye të mos ëndërrojmë dhe më shumë për këto katër vite dhe të mos i besojmë atij që shndërroi 90 për qind të premtimeve të 2005-ës në realitet të prekshëm sot.