E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Gjykata Administrative e nevojshme, politika mban peng ngritjen e saj



Ngritja e Gjykatës Administrative në Shqipëri është e domosdoshme për të krijuar barazinë e shtetit dhe biznesit, rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit gjatë proceseve gjyqësore. Komiteti i biznesit, USAID dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në një takim të zhvilluar ditën e djeshme kanë bërë apel për ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Administrative. Ky projektligj nuk ka arritur të miratohet si pasojë e krizës politike që ka prekur vendin.

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë takimit të zhvilluar u shpreh se mes dy forcave kryesore politike duhet të gjendet dialogu, që do të mundësojë në realizimin e reformës në sistemin gjyqësor dhe miratimin e projektligjit të Gjykatës Administrative.

“Rrugëdalja i takon politikës, e cila duhet të gjejë dialogun. Mungesa e dialogut bën të mundur që Gjykata Administrative të mos ngrihet në kohën e duhur. Mungesa e dialogut mban peng reformat në gjyqësor”, - u shpreh Spahiu. Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nënvizon domosdoshmërinë e ngritjes së kësaj gjykate, e cila “do të garantojë barazinë e palëve në proces ashtu siç bën të mundur ezaurimin e një nga shqetësimeve kryesore në KLD, zgjidhjen e vonesave në shqyrtimin e këtyre mosmarrëveshjeve”. Sipas numrit dy të KLD-së, biznesi dhe shteti nuk mund të vazhdojnë të rrinë pas dyerve të gjykatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative me muaj të tërë. Edhe përfaqësuesi i USAID-it, Richard Wolfie, deklaroi se Gjykata Administrative është e rëndësishme për marrëdhëniet biznes-shtet dhe kërkoi ngritjen sa më parë të këtij institucioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›