E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadik e Zeneli, kampionë të Finlandës

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 11:55

Helsinki i Erfan Zenelit e Berat Sadikut është shpallur kampion i Finlandës, për herë të dytë rresht. Fituesi i freskët i Kupës së shtetit e siguroi epitetin e më të mirit pesë xhiro pa përfunduar sezoni në divizionin e parë të futbollit finlandez.

Ekipi finlandez fitoi të dielën në shtëpi të Mariehamn me rezultat 2:0, në kuadër të xhiros së 28-të. Ishte pikërisht sulmuesi Sadik ai i cili nga penalltia e shënoi njërin nga dy golat e Helsinkit. Kurse, golin e parë e realizonte Pelvas, që merrte një top nga mesfushori Zeneli.

Sadik luajti gjatë tërë takimit, kurse Zeneli, i cili u ndëshkua me karton të verdhë, u zëvendësua në pjesën e dytë me Fowler. Pa dyshim, dyshja shqiptare luajti rol të rëndësishëm në suksesin e Helsinkit këtë sezon.

Pas 28 xhirosh të zhvilluara, Helsinki ka 70 pikë (23 fitore, 1 barazim e 4 humbje), 21 më shumë se përcjellësi kryesor, Inter Turku, që ka 49, por një ndeshje më pak. Pesë xhirot e fundit, Helsinki do t’i zhvillojë vetëm për prestigj, pasi që tashmë e ka siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit. Sadik kishte shkuar në Helsinki nga Lahti në fillim të këtij sezoni, kurse Zeneli është pjesë e këtij ekipi që nga viti 2005.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›