E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda, e artë

Pas një krize të rezultateve, Majlinda Kelmendi ka shpërthyer në Kupën botëror në kategorinë A që është mbajtur në Romë. Xhudistja kosovare ka fituar medaljen e artë, pasi në finale e ka mposhtur polaken Marta Kuban. Kjo ishte medalja e parë e artë për pejanen si seniore, e cila i ka fituar edhe 100 pikë të reja olimpike. Nga Valon Konushevci më 03 tetor 2011 në ora 11:55

Majlinda Kelmendi sërish ka filluar të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare. Xhudistja kosovare e ka zënë vendin e parë në Kupën botëror në kategorinë A, eveniment ky që është mbajtur në kryeqytetin tillin Romë, në të cilin kanë marrë pjesë garues nga 45 shtete të ndryshme të botës.

Medalja e artë, të cilën e ka fituar xhudistja pejane në këtë kampionat, ia ka sjellë asaj edhe 100 pikë të reja olimpike, me çka nënkuptohet se Majlinda Kelmendi me hapa të siguritë po ecën drejt Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’.

Në këtë kampionat, ajo ka garuar në kategorinë 52 kg. Fillimisht, Kelmendi e ka mposhtur xhudisten franceze, Richard Marine dhe pastaj 19-vjeçarja ka triumfuar edhe në duel me rumunen, Andreea Chitu.

Pas këtyre dy fitoreve, Kelmendi është kualifikuar në gjysmëfinale ku u ballafaqua me xhudisten tjetër franceze, Lucile Duport. Kelmendi e ka fituar edhe këtë betejë dhe arriti ta prekë finalen e madhe.

Në finale, 20-vjeçarja është ballafaquar me xhudisten polake, Marta Kuban. Kjo e fundit ishte në avantazh gjatë gjithë duelit, para të cilit Kelmendi konsiderohej favorite. Por, sportistja më e suksesshme aktualisht e Kosovës 30 sekonda pa përfunduar dueli ia ka dalë të bëjë rikthim sensacional, duke e hedhur polaken me Ippon, që nënkupton hedhje të pastër në shpinë. Në këtë mënyrë, Kelmendi është stolisur me medaljen e artë, të parën si seniore.

“Medalja e artë, e para për sportisten tonë që e arriti në botëror, pasi deri më tani Majlinda kishte medalje të argjendta dhe të bronzta, por hera e parë e artë dhe atë në momentin më të duhur, kur lufta për Olimpiadë është bërë e tmerrshme”, thuhet në një njoftim të lëshuar për media nga Federata e Xhudos e Kosovës.

Me këto 100 pikë të fituara olimpike, Majlinda Kelmendi është ngjitur akoma më lart në ranglistën olimpike. Lufta e sportistëve për t’u ngjitur në këtë ranglistë do të përfundojë më 1 maj të vitit të ardhshëm.

Pjesë e këtij Kampionati botëror ishte edhe xhudistja tjetër nga Kosova, Nora Gjakova. Ajo ka garuar në kategorinë 57 kg. Gjakova është eliminuar nga një xhudiste franceze, siç thotë Federata e Xhudos e Kosovës, në mungesë të fatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›