58% e kredisë për ekonominë në lek, rritet edhe pesha e depozitave në monedhën vendase

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kredia dhe depozitat në monedhën vendase vijuan të zgjerojnë peshën e tyre në sistemin bankar gjatë vitit 2025, duke reflektuar rritjen e përdorimit të lekut në financimin e ekonomisë dhe në kursimet e qytetarëve e bizneseve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë në lek arriti në 55,8% të totalit të kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025, nga 54,7% një vit më parë. Rritja e kredisë gjatë vitit u mbështet kryesisht nga financimet në monedhën kombëtare.
Edhe depozitat shënuan një ecuri pozitive. Në fund të vitit 2025, vlera totale e depozitave në sistemin bankar arriti në 1,84 trilionë lekë, duke regjistruar një rritje vjetore prej 9,1%.
Pesha e depozitave në monedhën vendase lek u rrit në 48,6% të totalit, nga 47,6% në fund të vitit 2024, çka tregon se kursimet në monedhën vendase u zgjeruan me ritme më të shpejta se depozitat në valutë.
Sipas të dhënave, ecuria e depozitave në valutë të huaj u ndikua pjesërisht nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit, i cili uli vlerën e tyre të shprehur në monedhën vendase.
/e.xh/j.p/r.e/