Saga e dorëheqjeve në pushtetin vendor përfshin edhe Bashkinë e Rroskovecit, largohen nënkryetarët dhe disa drejtues

Saga e dorëheqjeve në pushtetin vendor, e nisur në bashkitë e mëdha si Elbasani, Korça, Shkodra e së fundmi Fier dhe Lushnje, ka përfshirë tashmë edhe Bashkinë e Rroskovecit.
Burime për RTSH në qarkun e Fierit konfirmojnë se gjatë dy ditëve të fundit, drejtues të disa drejtorive dhe pesë administratorë të njësive administrative në Rroskovec kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, pas kërkesës së kryebashkiakes Majlinda Bufi.
Dorëheqjet e para në këto bashki përfshinë dy nënkryetarë dhe disa drejtorë të rëndësishëm të administratës. Ndërkohë, vala e ristrukturimeve pritet të prekë edhe bashki të tjera më të vogla në qark, si Mallakastra, Patosi dhe Divjaka.
Ky proces vjen si pjesë e urdhrit të kryeministrit për të nisur një reformim të thellë në nivel vendor, duke filluar me shkarkimin e administratorëve dhe rishikimin e performancës së drejtuesve lokalë. Në Fier dhe Lushnje pritet të nisë në ditët në vijim një vlerësim individual i performancës nga një komision i posaçëm i përbërë nga deputetë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste.
/rtsh.al/