Sajmir Tahir mos bëj sehir
1./
E kam personalisht me ty ministër i ri i Rendit, e kam edhe me qeverinë e re që betohet javës tjetër.
Të paktën nga paraqitja dukesh tolerant dhe miqësor, por ndoshta në vetvete ruan ende grimcat e hakmarrjes. Më thonë që je lab Tepelene me origjinë dhe ndoshta nuk e eviton dot gjenezën e hakmarrjes.
Gjyqet e famshme me fëmijët e Doktorit, gjobat e majme ndaj teje nga gjykatat e tua dhe të mia, arrestimi tët eti dhe përgojimi i tij nga xhada Jozefinë dhe lavirja Berishë, atakimet frikësuese jo vetëm me Kuliçin (ku mund të jetë Goni vallë?), por me gjithë klanin dardan të Policisë së Shtetit, sherret me horrat anonimë dhe provokimet e ndryshme ndaj teje… pra të gjitha këto kam frikë se të janë akumuluar dhe porsi një shqiptar ballkanas-oriental-mesdhetar-sunit-kokëgdhë-shpërthyes do të të detyrojnë ta fillosh punën që po le Flamur Noka plot mllef porsi vetë Flamur Noka.
Kam merak mos ndoshta do fillosh punën me shpagimin duke treguar dhëmbët dhe parzmoren e pushtetit e do e lesh këtë vend të dyluftohet për qejf mes xhelatëve dhe viktimave, mes krimit dhe indiferencës.
Të duhet të mos harxhosh kohë dhe nerva me hakmarrjet individuale por shtroju punës. Askush nuk pretendon që spitalet të vezullojnë nga pastërtia dhe rregulli brenda 100 ditëve të para, por rendin e duan. Kurrkund nuk do pretendohet që biznesit ti ulen taksat si me magji, por qetësinë publike e duan. Ti ke misionin më të vështirë dhe me ndjeshmërinë më të lartë, ti do përballesh edhe me klanet e krimit dhe mafies ilegale, por patjetër do përballesh edhe me klanet e krimit dhe mafiet legale. Shkarkimet dhe emërimet, tarafet e fisit dhe të fushatës, lutjet dhe kërcënimet e kolegëve deputetë, presionet nga rrethet dhe presionet nga Tirana do të të nxijnë dëshirën dhe vullnetin për punën.
Siç e shikon dhe përjeton, dyfeku gjëmon anembanë vendit porsi në shtatorin e 1944-ës tre muaj para çlirimit. Nëse nuk vret dot njeri nuk je aspak trendy dhe nëse nuk vjedh je thjesht old fashion.
Policia e Hysni Burgajt si e rrasur në burg vetëm numëron kufomat, ndërsa drejtësia pas pushimeve të gushtit po mendon si t’ua dhjesë punën dhe aksionet e rrezikshme me bakshishet e radhës.
Tmerr duket për së largu e për së afërmi Sajmir, por bën mirë të mbledhësh mendjen dhe ti thuash Edi Ramës dhe Ilir Metës që e ke seriozisht me rendin. Mblidh rreth vetes specialistët të mirëfilltë e të kualifikuar, vishu uniformën e nderuar të policisë vajzave dhe djemve të zgjuar, trima, të bukur dhe komunikues. Bëja të qartë Brukselit, Uashingtonit, Athinës, Romës dhe Ankarasë se sakrificat dhe egoja jote do të jenë përkushtimi organik dhe serioz në përballjen me krimin.
Në rrugë do vërdhojë krimi si përherë, në parti klanet do të të çorodisin si përherë, prokuroria e Tikut ende nuk e ka marrë veten nga dekretimi i vetë Tikut në atë dikaster e kështu mos prit bashkëpunim emergjent, në parlament Sali Berisha do ta shpartallojë gojën me sharje, mallkime dhe konspiracione ndërsa uzurpimi i jashtëligjshëm i SHQUP-it nga vetë PD-ja tingëllon paksa makbethiane dhe provokuese.
Të garantoj që lehjet e Lul Bashës nga foltorja e opozitës thjesht bezdisëse do i kesh porsi qeni chiuahua i Paris Hilton-it e pavarësisht se janë në modë injoroi, injoroi.
Pra, shkurt dhe shkoqur, Sajmir Tahiri ke marrë përsipër portofolin më të rëndë e më të grisur të qeverisjes. Të përshëndes për kurajon nëse e ke seriozisht, të përkrah për maturinë nëse lëndohesh dhe ti kur skuqet me gjak vatani, të admiroj për guximin nëse s’do bëhesh palë me krimin dhe natyrisht do kesh mbështetjen e kujtdo nëse do rivendosësh autoritetin e ligjit dhe të uniformës në çdo cep të atdheut tënd, të atdheut të partisë tënde, të atdheut të opozitës tënde, të atdheut të fëmijës tënd.
Ki besim te vetja dhe te puna se paskësaj edhe Fatos Lubonja, edhe Aurel Plasari nuk do merren më me Shkëzen Maliqin, nuk do merren më as me Koço Kokëdhimën, por do telefonojnë plot konfidencë 129-n duke u ankuar:
-Alo policia? Ju lutemi na ndihmoni. Ndotja akustike e Sali Berishës në parlament ende po na dëmton sytë, veshët dhe pleqërinë!
*fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
