Sako: 150 projekte infrastrukturore në Krujë e rrethina, ndihmë ekonomisë lokale e turizmit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Drejtuesja politike e qarkut Durrës, Emiriana Sako u shpreh sot se gjatë këtij 10-vjeçari janë bërë investime në infrastrukturën rrugore, të ndara 50% në zonat urbane dhe 50% në zonat rurale.
Nga takimi elektoral në Fushë Krujë, për prezantimin e arritjeve kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri, njëherazi edhe kreu i PS-së Edi Rama, Sako tha se në Fushë Krujë është bërë një punë e jashtëzakonshme këtë mandat.
Sipas saj, ky ka qenë një mandat plot sfida, pas tërmetit dhe pandemisë, por është arritur që ndërtohen lagje të reja dhe të strehohen banorë në Bubq, Thumanë, Krujë e Fushë Krujë.
“Kemi ndërtuar 17 shkolla të reja nga e para dhe 25 terrene sportive që nuk janë imagjinuar kurrë më herët. Nga ana tjetër në këtë 10-vjeçar, në infrastrukturën rrugore falë mbështetjes së Edi Ramës dhe PS janë realizuar 150 projekte, 50% në zonat rurale dhe 50% në zonat urbane duke bërë të mundur që t’i vijmë në ndihmë ekonomisë lokale dhe turizmit”, tha ajo.
Sako shtoi se “përpara 2015-ës kishte vetëm tre restorante në Krujë dhe 1 hotel, ndërsa sot Kruja dhe gjithë rrethinat kanë mbi 500 shtretër dhe mbi 200 bujtina”.
“Falë punës së realizuar dhe investimit në Qendrën Historike, Pazarin e Krujës, në monumentet e kulturës dhe nëse do flasim për shifrat Muzeu Kombëtar në Krujë kishte vetëm 30 mijë vizitorë, sot janë 190 mijë turistë që kanë vizituar Krujën. Ka ekonomi, turizëm dhe ne besojmë shumë që do vazhdojmë këto projekte transformuese për Krujën, Shijakun dhe gjithë qarkun e Durrësit”, tha Sako. /j.p/