E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama-votuesve nga jashtë: Mos prisni DHL, dorëzoni zarfet në pikat përkatëse

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kreu i Partisë Socialiste tha sot se të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zarfet e votimit të mbërritura nga zgjedhësit në Diasporë janë inkurajuese dhe pjesëmarrja është e lartë, por si hera e parë, siç u shpreh ai, duhet të jetë shumë më e lartë se herët e tjera.

Përmes një videomesazhi të postuar në rrjetet sociale, përpara nisjes për në Fushë Krujë ku është paralajmëruar takimi i radhës elektoral ditën e sotme, Rama ripërsëriti thirrjen për shqiptarët e Italisë, Greqisë dhe vendeve të tjera që të mos presin kompaninë postare për të dorëzuar zarfin, por ta kthejnë mbrapsht në pikën përkatëse postare të DHL-së.

“Do t’iu thosha shqiptarëve të Italisë që janë në krye të të gjithëve me 74%, forca janë edhe 21 mijë zarfe të padorëzuar. Do t’iu thosha shqiptarëve të Greqisë që janë më mbrapa të gjithëve jo për fajin e tyre, por për fajin e konfuzionit që u krijua nga kompania ditët e para. Janë 39%, forca janë edhe 36 mijë zarfe të padorëzuar por ka akoma kohë dhe mos prisni më që të vijnë t’jua marrin zarfin, por kthejeni mbrapsht në pikën përkatëse postare të DHL-së”, tha Rama.

“Nga Gjermania 72%, por janë ende 7 mijë pa dorëzuar, bëni një përpjekje të fundit,  Amerika shumë mbresëlënëse 70%, por janë ende 5 500 pa dorëzuar, Britania e Madhe më pak se 59% por 7 mijë të padorëzuar ende dhe të tjerat në total kanë një shifër goxha inkurajuese. 88% të tjerat në total, rezultojnë të jenë rreth 15 mijë të dorëzuara nga 17 mijë të shpërndara, por janë edhe 1 300 e ca që janë në duart e njerëzve, në duart tuaja që më ndiqni nga larg”, pohoi Rama.

Kryeministri nënvizoi sërish lutjen e tij që të ecet sa më shpejt në këtë proces, që është sipas Ramës një mundësi historike, një votë historike dhe një moment historik.

Rama tha se do të ishte gjynah që mbasi është bërë mundimi për t’u regjistruar të mos bëhet edhe mundimi për të dorëzuar fletën e votimit që tani ka mbërritur.

“Në total jemi në 65%, fluksi vazhdon të jetë i lartë dhe të rritet por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të jetë përfunduar kështu që forca për Shqipërinë me BE, në Evropë për pasaportën evropiane të të gjithë shqiptarëve, por mbi të gjitha për identitetin evropian jo vetëm me zakon se atë e kemi pasur që kur na vuri Zoti këtu në mes të Evropës si një ndër popujt më të vjetër, por edhe me ligj, me dokumente dhe për statusin e ri të qytetarëve dhe shqiptarëve në botë duke qenë status i barabartë me qytetarët e Evropës së bashkuar”, përfundoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›