E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sako: Përfundon evidentimi i dëmeve nga reshjet e shiut, dëmshpërblim familjeve të prekura

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Bashkia e Durrësit ka përfunduar brenda një kohe shumë të shkurtër procesin e evidentimit të dëmeve në banesat e qytetarëve, shkaktuar nga reshjet e shiut që përfshinë qytetin në 29 janar.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, teksa ndau në rrjete sociale momente nga verifikimi që kryejnë grupet e punës në terren.

Sako njoftoi se, pasi të kryhet edhe procesi i vlerësimit, të gjitha familjet e dëmtuara do të marrin dëmshpërblimet përkatëse.

“Jemi në çdo moment në shërbim të qytetarëve të Durrësit”, tha ajo.

Reshjet e shiut në 29 janar shkaktuan dëme në disa banesa në Durrës, ndërsa zonat më të prekura janë Sukthi, Katundi i Ri, zona e Kënetës dhe ajo e Plazhit.

Bashkia e Durrësit ngriti 13 grupe specialistësh për të verifikuar në terren dëmet e shkaktuara nëpër banesa, nga situata e krijuar nga reshjet e dendura.

Sipas të dhënave nga bashkia e Durrësit, uji pati hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull. j.p/

1 nga 10

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›